Një 27-vjeçar ka shkuar gjatë orëve të para të së dielës në spital, i plagosur me një plumb pistolete në këmbë. Plagosja ka ndodhur në lagjen 10 të qytetit të Korçës, ndërkohë që sipas Policisë, Reans Muçollari rreth orës 02:05 në Spitalin e Korçës ka shkuar i plagosur në këmbë me armë zjarri.
Sipas të dhënave, Muçollari është paraqitur vetëm në spital, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore. Burime nga Policia bënë me dije se grupi hetimor ka arritur të përcaktojë vendin e ngjarjes, që njihet si zona e francezëve, ndërsa ka shoqëruar disa persona në cilësinë e të dyshuarve apo personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Paraprakisht, burime të grupit hetimor bënë me dije se janë duke hetuar në pistën e një konflikti të çastit, ku dyshohet se Muçollari është grindur me disa persona të tjerë, ndërsa pas konfliktit verbal ata kanë përdorur edhe armën e zjarrit, duke e plagosur në këmbë të riun. Bëhet e ditur se ngjarja e regjistruar në orët e para të mëngjesit ka nisur në një lokal nate.
Po të njëjtat burime bënë me dije se vetë i plagosuri nuk ka qenë bashkëpunues me Policinë dhe nuk ka qartësuar rrethanat e ngjarjes për uniformat blu. Pasi 27-vjeçari ka marrë ndihmën e parë mjekësore është transportuar drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ka qenë vetë spitali që ka vënë në dijeni Policinë në lidhje me rastin, ndërsa kjo e fundit ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga rindërtimi i ngjarjes nga ana e hetuesve, rezulton se 27- vjeçari ka qenë në një lokal në rrugën e Kolonjës. Në lokalin e natës i riu është konfliktuar fizikisht me disa persona për motive banale.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në lokal, rezulton se i riu është larguar i vetëm drejt banesës dhe nuk është ndjekur nga personat me të cilët u konfliktua. Gjithashtu, në lokal nuk shihet të ketë pasur konflikt me armë. Nisur nga këto rrethana, hetuesit dyshojnë se i riu mund të ketë shkuar në banesë për të marrë armën e zjarrit dhe për t’u hakmarrë ndaj personave, me të cilët u konfliktua dhe me armën e tij mund të ketë plagosur veten aksidentalisht. Por Muçollari nuk është një emër i panjohur për Policinë.
Dy vite më parë ai u arrestua si autori i një aksidenti rrugor me pasojë vdekjen. Aksidenti fatal ka ndodhur në qershor 2017 në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec, ku Muçollari, duke drejtuar mjetin tip “Nissan” me targa AA 716 EF, ka aksidentuar me pasojë vdekjen e menjëhershme një këmbësor.


