Mediat në Kosovë kanë publikuar pamjet e aksidentit të rëndë që ndodhi mesditën e sotme në qytetin e Gjilanit.
Sipas videos së publikuar, shoferi i kamionit që po ecte me shpejtësi, ka humbur kontrollin duke u përplasur me disa automjete.
Një person ka gjetur vdekjen nga aksidenti dhe të paktën 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të lënduarit janë dërguar në spitalin rajonal të Gjilanit, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i tyre.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku ka thënë për “Telegrafi”, se shkak për aksidentin ka qenë një defekt teknik i kamionit, i cili ka shkaktuar përplasjen zinxhir të disa automjeteve.
“Jemi në vend të ngjarjes. E konfirmojmë që ka qenë një aksident me pasoja fatale ku për fat të keq një person ka humbur jetën. Ka me dhjetëra e dhjetëra të lënduar, janë në spital të Gjilanit për momentin. Për momentin janë trajtim dhe spitali është mobilizuar dhe gjendja është e jashtëzakonshme. Aksidenti ka ndodhur për shkak të një automjeti transportues. Dyshohet se ka dështuar diçka teknikisht dhe ka humbur drejtimin mbi 300-400 metra duke u përplasur me automjete të ndryshme. Drejtuesi i kamionit nuk ka pësuar lëndime dhe për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor”, ka thënë Maloku.


