Aleati i Partisë Demokratike dhe simpatizant i saj prej vitesh, Arian Galdini, iu është drejtuar demokratëve të kenë kujdes kë shpallin tradhtar, pasi koha ka treguar se Sali Berisha dhe Lulzim Basha i kanë përdorur ata, për interesat e tyre.
“Pak kujtesë:
Dikur kryetari i PD na tha se Genc Ruli, Arben Imami, Neritan Ceka etj, etj, janë armiq, tradhtarë, të shitur, e gjithëfarësoj të lige.
Më pas të gjithë këta, u thirrën nga Berisha, u ribashkuan me Berishën dhe u bënë udhëheqësit tanë.
Ne që i shanim këta sipas porosisë së Doktorit, e hëngrëm sa krahu.
Më pas, dolën tradhtarë Genc Pollo, Dashamir Shehi, Tritan Shehu etj, etj.
Përsëri erdhi dita kur Berisha i thirri, u bashkua me ta dhe i bëri udhëheqës të PD e ministra.
Ne që i shamë e mallkuam me porosi të Berishës, e hëngrëm përsëri sa krahu.
Nga 1990 deri në vitin 2005, Sali Berisha na tha se Fatos Nano është armiku i kombit, burgu ynë, tradhtari i kombit, fatkeqësia jonë kombëtare, rrezik mbi rreziqet.
Pas 2005, Sali Berisha u bë shok i ngushtë me Fatos Nanon dhe të gjithë ne që e shanim e mallkonim Nanon me porosi të Berishës, e hëngrëm sa krahu.
Prej vitit 1990 deri në vitin 2009, Sali Berisha na kishte thënë se Ilir Meta është Ilir Floriri, kryehajduti, vrasësi etj, etj.
Në vitin 2009, Sali Berisha u bë shok i ngushtë me Ilir Metën.
Prapë, të gjithë ne që e kishim sharë e mallkuar Ilir Metën me porosi të Doktorit, e hëngrëm sa krahu.
Pastaj në vitet 2012 – 2013, dolë tradhtarë, armiq, të pabesë, të shitur, Bamir Topi, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj.
Tani Lulzim Basha si kryetar i PD i ka thirrur dhe i ka bashkuar në PD dhe i ka zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD.
Kush i shau e mallkoi Gaz Oketën dhe Sandër Biberajn me shokë, tani i ka mbi krye.
Mund të sjell edhe plot emra, pafund emra që sot shpallen tradhtarë e armiq, e nesër thirren si udhëheqës.
Ndaj miq, kujdes, kujdes, kujdes, kur shani, mallkoni e shpallni armiq e tradhëtarë…
Bëni kujdes…
Nesër mund tua thërrasë udhëheqja e tua bëjë shefa mbi kokë.
Kujdes”, shkruan ai.


