Ndërsa opozita ka nisur protestën e saj përballë Parlamentit, kryediplomatja europiane, Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johanes Hahn kanë publikuar një deklaratë në të cilën dënohen ashpër thirrjet për dhunë të opozitës.
Me një ton veçanërisht të ashpër, deklarata rithekson se djegia e mandateve është një akt i paprecedent, i cili do të dëmtonte seriozisht rrugën europiane të vendit tonë.
Bashkimi Europian i bën thirrje opozitës që të kthehet në Parlament, “në dobi të qytetarëve dhe Shqipërisë”, sepse “Parlamenti është vendi ku duhet të aprovohen reformat dhe ligjet thelbësore për të ardhmen e vendit”.
Qëndrimi i Bashkimit Europian është në unison të plotë me atë të Ambasadës Amerikane, e cila edhe më herët ka reaguar duke fajësuar opozitën për një sjellje anti-europiane dhe për dëmtimin e proceseve demokratike në vend.
Më poshtë, deklarata e plotë e Mogherinit dhe Hahn.
DEKLARATA E PLOTË
“Në dritën e protestave të ditës së sotme në Shqipëri, ne ritheksojmë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, çka është një prej vlerave bazë të demokracisë, por denoncojmë fuqimisht retorikën e liderve politikë që bëjnë thirrje për dhunë.
Për më tepër, vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet, dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku duhet të diskutohen dhe aprovohen reformat e ligjet e rëndësishme, ai nuk mund të bojkotohet.
Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, bien ndesh me zgjedhjen demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minojnë seriozisht progresin që Shqipëria ka bërë në drejtim të anëtarësimit europian.
Bashkimi Europian shpreson që të gjithë anëtarët e Kuvendit Shqiptar të mbrojnë idealet dhe vlerat e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Parlament dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur akte dhe deklarata provokuese.
Në të njëjtën kohë, ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në një dialog kontruktiv, me pritshmërinë e tejkalimit të ngërçit aktual politik, në dobi të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.


