Deputeti Fatmir Xhafaj deklaroi se boja e hedhur ndaj kryeministrit Edi Rama turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme.
Episodi ndodhi sot në kuvend, ku Edi Paloka i hodhi bojë kryeministrit Rama pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë kryeparlamentarit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferit, për shkeljen e kodit të mikpritjes nga opozita.
Përmes një postimi në Twitter, deputeti i PS, Xhafaj, nënvizon se një akt i tillë fyen të gjithë, por që turpëron rëndë zbatuesit e kësaj shfaqjeje të turpshme.
“Një TURP kjo që ndodhi sot në Kuvend. Një akt që na fyen të gjithëve, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit. Bërë kjo, në prani të mysafirit të nderuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të nderuar momentin historik të anëtarësimit në NATO të fqinjit lindor, i bën nxitësit e ekzekutuesit e aktit, me TURP para gjithë shqiptarëve. Këtej e andej kufirit”, shkruan Xhafaj.
Deputeti socialist shkruan se kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare, ndërsa thekson se ky nuk është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët.
“Kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare. Ky NUK është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët! Ndjesë mikut e kolegut Talat Xhaferri. Shqiptarët në shekuj kanë respektuar mikun, fqinjin, e më shumë akoma vëllain e tyre të gjakut. Urime fqinjëve tanë për anëtarësimin në NATO. Urime fqinjëve tanë për anëtarësimin në NATO!”, shprehet më tej Xhafaj.



