Poliklinika e Ersekës është rehabilituar dhe pajisur me aparatura të reja. Investimin prej 20 milionë lekësh nga buxheti i shtetit e ka inspektuar kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në qarkun e Korçës në fundjavë.
Nuk ka të krahasuar godina e re me atë të vjetrën i thonë kryeministrit Edi Rama mjekët në Ersekë. E lavdërojnë për ndryshimin që ka pësuar poliklinika e Ersekës e cila pas investimit 20 milionë lekësh nga buxheti i shtetit ofron një tjetër standart për 5 mijë banorët e kësaj bashkie.
Së shpejti do të marrë fund edhe problemi i mjekëve specialistë në rrethe, pasi me këtë vit pritet që të dalin specializantët e parë, u tha kryeministri Edi Rama.
“Ne gjetëm një boshllëk shumë të madh, sepse u ndërprenë specializimet 4 vjet përpara se të vinim ne. Tani është viti i parë që dalin specializantët. Në Korçë aktualisht janë 15 specialistë që janë sistemuar aty dhe ndërkohë të gjitha nevojat për specialistë do të plotësohen nga specializantët e rinj”, tha Rama.
Ndërkohë, për vitin 2019 do të vijojë edhe politika për shpërblimin e punës së mjekëve, sidomos në ato zona ku ka mungesë mjekësh. Për motivimin e dërgimit të mjekëve në këto zona, do të vijojë pagesa e bonusit me vlerë 200,000 – 250,000 lekë në muaj.


