Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për folur lidhur me protestën e disa studentëve të ngujuar në fakultete.
Gjatë mbledhjes ka pasur debate midis opozitës dhe maxhorancës pikërisht mbi dhunën, nëse ishte ushtruar apo jo.
Sekretari i marrëdhenieve me median në PS, Alfred Peza me anë të një postimi në Facebook, ngre pyetjen se përse është irrituar opozita me policinë? A mos opozita është kaq e irrituar, për krejt të kundërtën e asaj që pretendon,- pyet Peza.
Postimi i plotë:
“Pse është e irrituar opozita me policinë?
Prej disa orësh, në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe mjetet e informimit publik, opozita dukej shumë e irrituar në prani të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Objekti i dëgjesës me sa u kuptua nga mediat, ishte shqetësimi se policia paska ushtruar dhunë ndaj protestës së studentëve nëpër universitete.
Në kushtet kur opinioni nuk ka parë e dëgjuar më parë për një temë të tillë, pyetja që lind në këtë rast, është:
A mos opozita është kaq e irrituar atëherë, për krejt të kundërtën? Pra, për mungesën e dhunës ndaj studentëve? Dhunë të cilën, me sa kuptohet, mund ta kenë dashur ta përdorin më pas politikisht, si një flamur për arritjen e qëllimeve të veta kundër qeverisë?!
Ajo që opinioni ka parë gjithë këto kohë, është përpjekja sistematike e militantëve të opozitës nëpër universitete, për ta provokuar sherrin me çdo mjet e me çdo mënyrë. Nga zinxhirët nëpër porta, pengmarrja e auditoreve, bllokimet e gozhdimet e dyerve, e deri tek sherret e stimuluara dhe përplasjet e orkestruara me masën e studentëve që kërkojnë prej kohësh, vijimin normal të mësimit.
Pas kësaj, gjithkush është në gjendje të kuptojë edhe më mirë, se përse ishte aq shumë e irrituar këtë radhë opozita jonë, me ministrin e Brendshëm.”


