Studioja e Buron Kacelit, piktorit të njohur shqiptar, është e ndarë në dy kohë, në dy botë. Aty janë gjurmët e babait të tij, Sadik Kaccelit (1914- 2000), piktorit më të shquar shqiptar, që ishte pjesë e plejadës së piktorëve të rëndësishëm të shekullit XX-të, atyre që konsoliduan realizmin kritik në pikturën shqiptare, me ndikimet më të mira të artit francez e italian.
Një shëtitje në këtë studio me të birin, Buron Kacelin, të bën të rikthehesh tek veprat e hershme. Janë vlerat estetike, të rigjallëruara në kohë që të thërrasin, është fryma e krijuesit ende e gjallë. Të shpërndara në harmoni perfekte krahas veprave të Buronit- një individualitet tjetër i artit shqiptar, pikturat e Sadik Kacelit rrinë bukur së bashku, pa prekur “në ngjashmëri” njëra-tjetrën.
Por ja që studioja të duket ende si e Sadik Kacelit, sepse të birit, i pëlqen të ruajë thesaret e krijimtarisë aty, në shenjtërinë e vet. E këto thesare shkojnë përtej çdo çmimi si një vlerë e patjetërsueshme e artit shqiptar. Buron Kaceli në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen me modesti veprat e rralla, të cilat zbulohen aty fjalë pas fjale, ndërsa duke i fotografuar, edhe ato pak fjalë duken të tepërta. Le t’i tregojmë përmes fotove të bëra nga “Shqiptarja.com” se çfarë zbuluam në studion “Kaceli”.
Së bashku me Buron Kacelin kemi kujtuar fillesat e artit pamor shqiptar, vitet 1932–1936, kur Kaceli studionte në Shkollën e vizatimit të Tiranës nën drejtimin e pedagogëve Mario Ridola, Andrea Kushi dhe Abdurrahim Buza. Kujtuam vitin 1936, kur Sadik Kaceli shkoi në Paris dhe ndoqi studimet në “Ecole National Supperieurs des Beaux-Arts”.
I biri Buroni tregon se pedagogu kryesor i tij në vitet e akademisë ishte Fernand Sabatto, personalitet i pikturës dhe bashkënxënës me Matisse-në, të piktorit Gustav Moro. Kujtuam studimet në Paris, ku Kaceli ndiqte leksione edhe në atelienë e afreskut të profesorit Dycos De L’Halle.
Buroni flet për kthimin në atdhe në vitin 1941, ku i ati punoi si mësues vizatimi dhe më pas deri në 1970-n ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku edukoi disa breza piktorësh të njohur.
Ka dhe kujtime të trishta…. Edhe pse ishte autor i kartëmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946) dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, Sadik Kacelit kurrë nuk iu dha një titull i lartë përkorë meritave, me përjashtim të titullit Artist i Merituar.
Megjithatë, ashtu i mënjanuar nga ngarkesat politike të kohës, por kurrë nga arti, Sadik Kaceli punoi në studion e tij, në studion “Kaceli” ku ende frymon një koleksion i pasur, ku ka dritë. Janë veprat që flasin aty, dhe një trashëgimtar i denjë i gjakut dhe i artit, Buron Kaceli që ruan këto thesare të artit shqiptar.
Intervista
Zoti Buron, dihet që arti shqiptar trashëgon një korpus të çmuar të veprave të Sadik Kacelit, kryesisht të bëra gjatë periudhës së Realizmit Socialist, por nga ana tjetër mbeten në një dimension të panjohur veprat e tij të shkollës së vizatimit, para viteve ’40. Çfarë mund të na tregoni për to. Ka shumë nga kjo krijimtari e tij?
-Ka një pjesë të mirë që e ruajmë në vendin e koleksionit të familjes nga babai ynë Sadiku, vepra që nisin që nga vizatimet e tij si artist, që fëmijë; janë disa vizatime shumë dekorative që ai i shihte nga reklamat apo shishet e kolonjës, dhe që i bënte me përpikëri, i ka vizatuar në rininë e tij. Pastaj ka edhe ndonjë vepër patriotike. Vjen dhe periudha e shkollës së vizatimit nga e cila ruhen disa vepra. Janë vepra në vizatim, në karbon, ose detyra që i bënte jashtë shkolle; këto janë vizatime, por edhe piktura me vaj. Gjithashtu janë edhe linogravurat e para shqiptare, kur Sadik Kaceli, student, frekuentonte edhe atelienë e grafikës. Por disa prej tyre janë bërë edhe pas viteve ’40. Janë vepra të viteve të pasluftës dhe dy nga këto linogravura janë në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Çfarë rëndësie kanë për ju dhe më tej për artin shqiptar këto vepra?
-Im at i takon brezit të parë të artit modern shqiptar. Me hapjen e shkollës së vizatimit në Tiranë u krijua një periudhë e re e artit shqiptar, ku u krijua një brez artistësh dhe më vonë ata do të hapnin akademitë dhe ai ishte nga të parët artistë që nisën të vinin themelet e zhvillimit të artit pamor shqiptar. Ruajtja e veprave të pionierëve të artit shqiptar ka rëndësi shumë të madhe, jo thjesht se janë vepra të Sadikut si artist, apo se ai është nga piktorët e parë shqiptarë, por për artin në përgjithësi, për zhvillimin e pikturës shqiptare.
Kjo skulpturë që fotografuam, cilës periudhe i përket? (skulptura është një femër nudo e ulur në shkëmb, me fytyrë të mbuluar nga flokët)
– Është e vitit 1961. Ishte një periudhë që im atë gjatë ditëve të dimrit, ku kishim një sobë qeramike të nxehtë në shtëpi, bënte me terakotë skulptura, ka bërë një seri skulpturash të vogla, dhe kjo është një nga ato. Është më përfaqësuese në fakt. Edhe i piqte aty. Im atë skulpturën e ka pasur gjithmonë shumë qejf. Shkolla që ka bërë im atë, shkolla superiore e Arteve të Bukura në Paris, i informonte artistët, jo vetëm në pikturim. Ishte një nga shkollat më mira të kohës, dhe i mundësonte nxënësit të frekuentonin edhe atelienë e grafikës. Im atë është i pari që ka gdhendur një grafikë në linoleum. Është njëkohësisht pllakatisti i parë shqiptar. Atëherë organizoheshin aktivitete e konkurse të piktorëve dhe të arkitektëve për skulpturë, në një konkurs të tillë im atë ka marrë medalje të artë. Ai ka marrë medalje të artë edhe si vizatuesi më i mirë i të gjithë shkollës. Aty bënin ndërkohë konkurse për pikturën, dhe nuk merrnin pjesë piktorët, por merrnin arkitektët dhe skulptorët. Kështu im atë ka marrë një medalje të tillë në skulpturë. Dhe kemi një seri koleksionesh me skulptura të vogla, këto dhe autoportreti që ju patë janë skulpturat e viteve ‘60-‘70
Sadik Kaceli ka pasur dhe ka ekspozuar nudo, një gjë që ka qenë pjesë e censurës komuniste. Kur kanë filluar të ndalohen nudot në Shqipëri. Kam parasysh këtu dramën që ndodhi me veprat e Janaq Paços që pasoi më thyerjen e nudove më të bukura të tij?
-Ka filluar më vonë censurimi i tyre. Në vitin 1964 im atë ka pasur 50- vjetorin e lindjes. Dhe ka bërë një ekspozitë tek ish ndërtesa e lidhjes së miqësisë me botën e jashtme, ku sot është institute i të përndjekurve politikë tek rruga e Elbasanit. Atje bëheshin ekspozitat e pikturës, dhe aty ka ekspozuar dy nudo. Dhe unë rrija aty për të parë se mos dëmtoheshin dhe shihja se njerëzit vinin ndonjë borzilok, ose ndonjë lule tek këto nudo. Më vonë nga vitet 1964, ‘65, ‘66, nisën të ndalohen, por në ‘67-’68-n ndalimet arritën kulmin. Nisi ndalimi i çdo veproje nudo dhe mbaj mend që në atë kohë, edhe ne që ishim studentë, modelet nuk i bënin dot nudo, por vinin të na pozonin me rroba banje. Atëherë ka qenë edhe periudha kur Janaq Paços ju ndaluan nudot e tij të bukura dhe u kritikua dhe kështu e detyruan të thyente veprat e tij më të mira.
Cilat nga veprat e Sadik Kacelit të kanë ngelur në mendje me syrin tuaj si artist, që kanë një jetëzgjatje emocionale dhe artistike pavarësisht se i krijoi në moshë të re?
-Janë disa realizime të asaj moshe që janë nga veprat më përfaqësuese të artit shqiptar të asaj periudhe. Në moshën 17-18 vjeç ai realizoi disa portrete, si portreti i “Karmen”, realizuar nga Kaceli në periudhën studentore në Paris 1936-1941. Karmen, në atë kohë në moshë të madhe, ishte modelja e Rodenit të madh, e cila i pozoi Rodenit për skulpturën e famshme “Puthja”. Janë “Portreti i Mësuesit”, i “Hamallit të Tiranës” apo “Myzeqari”, që është në Galerinë Kombëtare të Arteve, dhe që kritika e quan atë si “Rembrandin shqiptar”.
Mendon se këto vepra janë studiuar sa e si duhet për të krijuar historinë e saktë të zhvillimit të pikturës shqiptare dhe për të krijuar librat e shkollës së artit sot?
-Janë krijuar disa monografi, Eli Xoxa ka bërë një monografi të mirë për Sadik Kacelin, ka edhe studiues që kanë bërë monografi të disa prej piktorëve të njohur shqiptarë, por kjo nuk mjafton. Mungon interesi nga shteti për të pasur kolanën e artistëve shqiptarë me libra me monografi të plota. Është e domosdoshme një kolanë me artistë shqiptarë, me librat e monografitë e tyre, sidomos të atij brezi që hodhën themelet e artit shqiptar. Bëhen aktivitete masive e harxhohen miliona, por kjo punë nuk do kaq miliona. Duhet evidentuar dhe kërkuar që të paraqesim veten tonë, në vendin dhe karshi botës në art. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme të bëhet puna e ruajtjes dhe evidentimit të këtyre të këtyre vlerave.
Bëhet fjalë për vlera estetike dhe artistike?
-Sigurisht e gjithë ajo plejadë artistësh ka rëndësi. Është një periudhë që ka frymë të përgjithshme shoqërore ku Shqipëria kalon një periudhë interesante historike, dhe është një periudhë e mirë e artit shqiptar me këto portrete të realizmit kritik shqiptarë. Dhe për sa i përket kësaj periudhe ndodh që letërsinë e njohim më mirë, por mungon njohja e pikturës me këto portrete që janë fillimet e artit të realizuar shqiptar
Çfarë ju tregonte babai për miqtë e shokët e tij?
-Unë kam arritur që të shihja në shtëpinë tim kur vinin personalitete të mëdha të kulturës shqiptare, si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Pashko Gjeçi-përkthyesi i shkëlqyeshëm i Dante Aligierit.
Sa vjeç ishit, sepse janë personazhet të viteve të shkuara?
-Unë që fëmijë jam rritur në studion e babës, kaloja një pjesë të madhe aty dhe pikturoja.
Si i kujton vizita e tyre?
-Unë hapja derën dhe dëgjoja nënë që thoshte: -Mos u fut në studio, se është Lasgushi! Ata trajtonin çështje të artit e të kulturës e shpreheshin lirshëm me njëri-tjetrin. Ka qenë një periudhë e zhvilluar e artit dhe e kulturës, madje dhe e gazetarisë në atë kohë.
Çfarë bisedonin?
-Sigurisht, gjërat më të mira që dinin dhe sillnin në art. Ndaj duhet studiuar ajo periudhë, ajo jetë, se pse po të kujtojmë Tefta Tashkon, ajo la Parisin dhe famën dhe erdhi këtu. Babai im ka qenë me medalje ari në Paris dhe erdhi në Shqipëri duke marrë me vete ca metoda për të dhënë mësim në shkollën e vizatimit. Im atë hedh i pari idenë që duhet pasur një galeri arti në Shqipëri, dhe ishte koha kur diskutohej jo vetëm për artin, por edhe për letërsinë e ndaj duhet studiuar ajo periudhë e mrekullueshme në historinë e artit shqiptar.
Lasgushin si e kujton?
-Isha fëmijë dhe kur vinte ai më fërkonte pak kokën me përkëdheli dhe futej në studio në biseda më babën, por kam një kujtim të bukur nga Lasgushi. Unë isha fëmijë e kisha nisur një portret të cilin s’e kisha përfunduar. Dhe një ditë, siç po hyja në shtëpi drejt e nga plazhi, i mbushur me rërë, dëgjoj nënën të më thotë: -Shko, shko në studio takoje pak babën se do të thotë diçka.
Dhe shkoj unë e baba më tregon sesi i kishte thënë Lasgushi për portretin tim. Më tha: -Buron më ke lënë pa fjalë, më ke prishur gjithë bisedën time me Lasgushin sot…Dhe më tregoi se Lasgushi kishte shprehur fjalë të mira për pikturën time e që kishte sugjeruar të mos ngacmohej më tej. Dhe baba ashtu më tha: -Aty lëre, derisa ka thënë Lasgushi.
Në cilat pika takoheshit dhe largoheshit me babanë tuaj në art?
-Im atë ishte një burrë shumë i kulturuar, dhe unë vetëm duke lexuar nënvizimet e tij nëpër libra kam kuptuar se më ka ndihmuar shumë. Nuk i kritikonte kurrë nxënësit. Edhe mua më inkurajonte e përpiqej që të ruaja individualitetin tim. Ai pati fat të kishte profesorë me kulturë të gjerë. Mario Idola, drejtori i shkollës ishte nxënës i një piktori të madh italian, dhe im atë përfitoi nga mësimet e Idolës. Edhe në Francë ka pasur profesor në vitet e akademisë Fernand Sabatto-n, personalitet i pikturës dhe bashkënxënës me Matisse-në, të piktorit Gustav Moros. PO ashtu ai ndiqte leksione edhe në atelienë e afreskut të profesorit të madh Dycos De L’Halle. Pikërisht kultura e madhe e tij dhe vlerësimi individualitetit të nxënësit bëri që të ruaja vlerën individuale. Natyrisht unë nuk mund të shpëtoja nga ndikimet, sepse im at ishte një piktor i madh, por më vjen mirë që kritika sot më thotë se kam një individualitet në artin tim.
Çjanë këta libra kaq të vjetër në studion tuaj?
-Janë libra të historisë së artit, pasuri e bibliotekës së babait tim, Sadikut. Këta libra kanë vlejtur për shumë miq e të afërt që i lexonin në studio, se nuk gjendeshin në bibliotekat tona. Unë vetë fotografoja ca piktura dhe skulptura të Rodenit dhe i ndanin me shokët për të parë e diskutuar rreth tyre. Kam pasur fat me që i kam pasur këto materiale studimi në shtëpi. Edhe babai ka pasur fat që i zotëronte këto libra. Ndonëse ishte në periudhë që atë duhet ta sistemonin për meritat dhe kontributet i takonin, e lanë disi mënjanë, që së paku të quhej një artist i merituar, ndërsa nuk e linin të kishte një titull më të madh. Por, për çudi pavarësisht kësaj, askush nuk i ka ndaluar korrespodencat e babait me artistë të mëdhenj europianë, dhe emra të mëdhenj të artit, që i sillnin edhe ndonjë libër. Dhe unë kam pasur të kem literaturë të artit që në atë kohë mund ta gjeje në Francë.


