Shtetasi finlandez që u arrestua të premten në Tiranë nuk është i panjohur në vendin e tij, por as për Europolin, që deri pak kohë më parë e kishte në listën e të kërkuarve.
Mike Soldier, 34 vjeç, apo i njohur si Mertsi Allan Isberg, është një reper i njohur në Finlandë, por njihet edhe si menaxher i disa reperëve të tjerë atje. Mediat finlandeze i kanë kushtuar disa artikuj vitin e kaluar, duke theksuar se ai ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol dhe Europol, i dënuar në mungesë, por që po i fshihej drejtësisë
Mike Soldier apo Mertsi Allan Isberg, lindur në Alaharma të Finlandës, u arrestua në Tiranë nga Drejtoria Qendrore Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës.
Arrestimi i tij erdhi pas një bashkëpunimi të suksesshëm në shkëmbimin e informacioneve në kohë reale mes ZQK Interpol Tirana dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpol. Policia e Shtetit tha dy ditë më parë se menjëherë pas arrestimit janë vënë në dijeni autoritetet finlandeze dhe kanë nisur procedurat për ekstradimin.
REPERI
Mediat e vendit të tij shkruajnë se Mike Soldier u dënua në prill të vitit 2017 nga Gjykata e Apelit të Helsinkit me 3 vjet e 11 muaj burg për veprat penale të drogës, drejtim të makinës i dehur dhe mbajtje të armëve të zjarrit. Sipas raportimeve në mediat finlandeze, 34-vjeçari fillimisht ishte vënë nën hetim pas publikimeve që bënte në mediat sociale dhe kontakteve që ai kishte me një grup të quajtur “Vëllazëria e Bashkuar”. Ndërsa në momentin e ndalimit atij iu gjetën 2500 tableta lëndë narkotike, e llojit ekstazi, që e kishte fshehur në makinë.
“Menaxher i rap-it që fsheh drogën dhe armët në ambientet e kompanisë së tij në Korso”, është një nga titujt e së përditshmeve finlandeze. Sipas këtyre raportimeve, Soldier ishte proceduar edhe në një tjetër rast, kur në makinën e tij, brenda një kutie kompjuteri, u gjetën 2440 tableta ekstazi, që po i transportonte me makinë. Në momentin e ndalimit, ai u kishte thënë policëve që makina nuk ishte e tij, por ia kishte marrë një shoku, pasi automjeti i tij kishte pasur një defekt.
Për këtë arsye, Soldier shprehej se nuk kishte dijeni mbi atë çfarë fshihej në makinë. Megjithatë, patrulla e Policisë nuk e lejoi të jepte më shumë shpjegime dhe as të dilte nga automjeti, deri në kryerjen e një testi. Pas testeve rezultoi që ishte nën efektin e kokainës. Në këtë rast, në vitin 2016 ai ia hodhi duke u lënë i lirë, por në vitin 2017 u arrestua sërish.
ARRESTIMI
Policia e Shtetit tha të shtunën se shtetasi finlandez ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Helsinki, në prill 2018 e ka dënuar me 3 vjet e 11 muaj burgim. Ai ishte dënuar për vepra penale të rënda në fushën e narkotikëve, armëmbajtje pa leje dhe shumë raste të përsëritura në disa qytete në Finlandë, në periudhën dhjetor 2016- prill 2017, ku ka shkaktuar panik dhe rrezik për qytetarët duke drejtuar automjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe pa leje drejtimi.
“Shtetasi finlandez M.S. kryeson listën e personave të kërkuar në Finlandë, kjo sipas konfirmimit të Interpol Helsinkit, për shkak të panikut dhe rrezikut që ka shkaktuar për qytetarët. Kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit M.S. u bë me qëllim ekstradimi drejt Finlandës”, tha zyrtarisht Policia shqiptare.




