Vijon të jetë i bllokuar njëri sens i autostradës Elbasan-Tiranë, aty ku dje u shkëput një masiv shkëmbor nga skarpati anësor, duke bllokuar të gjithë rrugën, ç’ka solli devijimin e lëvizjes së mjeteve nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Mësohet se situata ende paraqitet e rënduar dhe të paktën edhe 48 orët e ardhshme segmenti i rrugës Elbasan-Tuneli i Krrabës do jetë i paqarkullueshëm.
Bw raportoi se specialistët dhe gjeologët e ardhur nga Tirana, po kryejnë matjet e nevojshme për të kuptuar pse ndodhi kjo rrëshqitje dheu.
Është kërkuar të ribëhet studimi gjeologjik i zonës ku kanë ndodhur shkarjet e tokës në Mamël. Ndërkaq êshtë paralajmëruar fillimi i një hetimi për projektuesit dhe studimin gjeologjik të kryet më herët për këtë rrugë.
Aktualisht janë dislokuar mjete të shumta të tonazhit të rëndë të cilat janë në gatishmëri për fillimin e punës për evadimin e masivëve të shkëmbinjve por pritet të konkludojnë specialistët paraprakisht pasi të bëjnë vlerësimin e situatës së krijuar nga fenomeni i rrëshqitjes në shpatin e kodrës mbi rrugën e bllokuar.
Sakaq, bëhet me dije se lëvizja e mjeteve nga Elbasani në Tiranë bëhet ende nga rruga e vjetër në “Qafë Krrabë”.


