I ftuar dje në një emison televiziv, Eduard Ndocaj ka rrëfyer disa momente nga debati apo telefonata e tij me kryeministrin Rama.
E megjithatë, kaubojsi nuk është I vetëm kur bie fjala për raste të nxjerrjes së bisedave kofidenciale me “shefat” apo me eprorët e liderët e partisë.
Duket sikur e gjitha funksionon gjithnjë njëjtë. Një palë rrëfen për bisedën/sherrin në zyrë apo telefon dhe pala tjetër nuk ka reaguar kurrë, thuajse ironuar ndonëse debati ka vijuar me javë.
Mimoza Hafizi zbulon sherrin me Blushin
“Kam bërë dhe bisedë personale me të, ai më tha që i pëlqen ta vazhdojë. Dhe unë i kam thënë që do jemi bashkë në këtë mission.
Ai nuk donte të ishte pjesë e reagimeve e iniciativave politike në korrik e gusht. Erdhi shtatori, unë isha e ngarkuar të rishikoja statutin e LIBRA-s, për të parë çfarë mund të rregullohej. Më pas pati një fushatë agresioni ndaj meje, me qëllim që unë të largohesha nga LIBRA. Nuk pati asnjë konflikt personal. Njerëzit që ndiqnin komunikimet tona, janë çuditur nga përgjigja e ashpër nga ana e tij,” tha Hafizi.
Nard Ndoka flet për sherrin me Berishën
“Kam patur debate me Berishën gjatë kohës kur isha ministër në kabinetin e tij qeveritar. Sigurisht në të mirë të punës, sepse janë të justifikuara debatet kur bëhet fjalë për të mirën e punës”, tha ai.
Arta Dada rrëfen përplasjen me Edi Ramës
“Kam kritikuar jashtëzakonisht Ramën kur tejkaloi kufijtë me Mimoza Hafizin dhe shumë kohë nuk shkova ne mbledhjet e grupit”, u shpreh deputetja socialiste.
Jozefina Topalli rrëfen pikënisjen e sherrit me Bashën
Jozefina Topalli në një interviste sqaroi se përplasja me Bashën nisi në shkurt të vitit 2014, kur ai bëri një urdhër që në zgjedhjet lokale të mos kandidonin kryetarë seksionesh që kishin humbur në zgjedhjet e 2013, deputetë apo edhe kryetarë seksionesh.
“Ky urdhër ishte i paprecedentë dhe unë i kam shkuar në zyrë dhe jam përplasur me të.
Ai më dha të drejtë, por urdhri qëndroi në fuqi dhe atë e shkeli vetë Basha, që është humbës në zgjedhje dhe rikandidon brenda partisë.”
Përgatiti: AlpeNews.al







