• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 31 August, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

31 August, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
KËRCËNIMI PËR SHKATËRRIM EKONOMIK/ Turqia i përgjigjet presidentit Trump
Home
Nderkombetare

KËRCËNIMI PËR SHKATËRRIM EKONOMIK/ Turqia i përgjigjet presidentit Trump

14 January, 2019 k.autor Botë, Nderkombetare

Turqia ka hedhur poshtë kërcënimin e Presidentit Donald Trump se do “shkatërrojë” ekonominë e saj nëse sulmon forcat kurde në Siri pas një tërheqjeje të planifikuar të trupave amerikane.

“Nuk do dilni gjëkundi duke kërcënuar Turqinë ekonomikisht,” tha Ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu.

Forcat amerikane kanë luftuar së bashku me milicinë kurde në Sirinë veriore kundër grupit të Shtetit Islamik (IS).

Megjithatë, Turqia i konsideron Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG) si terroristë.

Në dhjetor, Z. Trump njoftoi se SHBA-ja do të tërhiqte të gjitha trupat nga Siria për shkak se grupi militant i Shtetit Islamik ishte “mposhtur”.

Veprimi i papritur i tronditi aleatët dhe solli kritika. Disa zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane dhanë dorëheqjen pak kohë më pas.

Ekzistonte gjithashtu dhe frika se kurdët në Forcat Demokratike të Sirisë (SDF), që kishin bashkëpunuar me SHBA-në, do të sulmoheshin nga Turqia sapo SHBA-ja të tërhiqej.

Trump shkroi të dielën se tërheqja nga Siria kishte filluar dhe se SHBA-ja do të “shkatërronte Turqinë ekonomikisht nëse ajo sulmon kurdët”.

Ai gjithashtu tha se çdo luftëtar i mbetur i IS-it  mund të sulmohet nga ajri, dhe se mund të krijohej një “zonë e sigurt” prej 20 miljesh (32 km).

Postimi i tij mund të shihet si një përgjigje ndaj kritikave se vendimi i tij për të tërhequr trupat do të dëmtojë aleatët rajonalë të SHBA-së.

Trump nuk dha asnjë specifikë se si SHBA-ja mund të dëmtojë ekonominë turke dhe njoftimi i tij duket se i ka kapur këshilltarët e tij në befasi.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili aktualisht është duke vizituar Lindjen e Mesme, iu përgjigj kështu pyetjeve rreth kërcënimit të z. Trump: “Duhet të pyesni presidentin… Ne kemi zbatuar sanksione ekonomike në shumë vende, supozoj se ai po flet për këtë lloj gjërash. ”

Ndërkohë, ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu e përshkroi postimin e Trump si një “mesazh politik të brendshëm” ndaj kritikëve.

Çavuşoğlu ka hedhur poshtë kërcënimet e z. Trump duke thënë: “E kemi thënë herë pas here se ne nuk do të frikësohemi apo do të pengohemi nga ndonjë kërcënim”.

Ai gjithashtu kritikoi metodat e zotit Trump, duke thënë: “Aleancat strategjike nuk duhet të diskutohen në Twitter apo mediat sociale”.

Megjithatë, sanksionet e SHBA-së kanë pasur ndikim më parë në ekonominë e Turqisë.

Administrata Trump vuri sanksione dhe tarifa tregtare në gusht, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi një pastor amerikan të burgosur, sanksione të cilat kontribuan në një rënie të mprehtë të vlerës së lirës turke. Pastori Andrew Brunson u lirua në tetor.

Ndërkohë, zëdhënësi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, İbrahim Kalın, tha se Turqia priste që SHBA-ja të “respektojë partneritetin tonë strategjik”.

“Terroristët nuk mund të jenë partnerët dhe aleatët tuaj,” tha ai.

Gjatë fundjavës, para postimeve të fundit të z. Trump në Twitter, zoti Pompeo tha se kishte folur me z. Çavuşoğlu në telefon dhe ishte “optimist” për arritjen e një marrëveshjeje me Turqinë për të mbrojtur luftëtarët kurdë.

Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara njohin “të drejtën e popullit turk dhe të drejtën e Erdoğan-it për të mbrojtur vendin e tyre nga terroristët”.

“Ne gjithashtu e dimë se ata që luftojnë përkrah nesh gjatë gjithë kësaj kohe meritojnë të mbrohen po ashtu,” shtoi ai.

Erdoğan ka folur me zemërim rreth mbështetjes amerikane për milicinë kurde të YPG-së dhe u zotua që ta shtypte atë.

Çavuşoğlu tha se Turqia nuk ishte “kundër” idesë së një zone të sigurtë, por ishte duke shënjestruar “një organizatë terroriste që përpiqet të ndajë Sirinë”.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MASAKRAT NË FAMILJET SHQIPTARE NDËR VITE/ Nga Ritvani që VRAU 8 persona, tek babai që mbyti 3 fëmijët (FOTO)
Previous article “SHERR” PËR FOTON E ENVER HOXHËS/ Zyrtari i FSHF apel ish-zëdhënëses: Ma hiq atë m*t aman…

k.autor

Postime të ngjashme

PARALAJMËRIMI I FORTË i kryeministrit polak: Moska po përgatitet “shumë seriozisht” për një fazë të re të luftës, 7-8 muajt e ardhshëm vendimtarë Botë

PARALAJMËRIMI I FORTË i kryeministrit polak: Moska po përgatitet “shumë seriozisht” për një fazë të re të luftës, 7-8 muajt e ardhshëm vendimtarë

PRAPASKENAT/ SHBA informon presidentin ukrainas për vizitën sekrete të drejtorit të CIA-s në Moskë Botë

PRAPASKENAT/ SHBA informon presidentin ukrainas për vizitën sekrete të drejtorit të CIA-s në Moskë

SHBA GODET RRJETIN KINEZ: Vunë në shënjestër NASA-n, Senatin dhe institucione të tjera amerikane Botë

SHBA GODET RRJETIN KINEZ: Vunë në shënjestër NASA-n, Senatin dhe institucione të tjera amerikane

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT