Një ngjarje e rëndë ka tronditur Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit.
Një shqiptar i Kosovës, me iniciale R.H gjatë ditës së djeshme, sulmoi mjekët pasi nuk i kishin ofruar ndihmë mjekësore vajzës së tij 2-vjeçare, për shkak të grevës në institucionet shëndetësore në gjithë vendin.
Me sëpatë në dorë burri iu vërsul mjekut, por fatmirësisht, ky i fundit ishte larguar dhe burri kishte goditur tavolinën.
Mjekët e tjerë të tmerruar kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestuar qytetarin e xhindosur.
Zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit Shaban Azizi, ka treguar detaje se si ka ndohdur ngjarja në një prononcim për ‘Zërin’.
“Gjatë ditës së djeshme në mbrëmje nga ora 19:00 një qytetar e ka dërguar një fëmijë në ambulantë dhe pasi që kanë pasur mjekët grevë, ata i kanë thënë që jemi në grevë dhe ai është nervozuar dhe ka tentuar ta sulmojë mjekun me sëpatë, por nuk i ka shkaktuar asnjë lëndim. Ka tentuar ta sulmojë vetëm mjekun kujdestar, sepse ai nuk i ka ofruar ndihmën atij dhe ai është revoltuar dhe i ka mëshuar tavolinës. Policia ka reaguar menjëherë, e ka arrestuar atë. Ai është i ndalur për 48 orë”, tha Azizi.
Gjithashtu për këtë ngjarje ka reaguar edhe Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemajli.
“Është e vërtetë që në vendin e punës është sulmuar mjeku. Ata si punëtorë shëndetësorë iu kanë përgjigjur grevës së sindikatës së shëndetësisë dhe si pasojë e mosofrimit të shërbimit për raste të caktuara kanë ardhur deri në një konflikt. Për fat pasoja fizike nuk ka pasur, përpos inventarit që është dëmtuar dhe i ka shkaktuar trauma stafit të ambulancës. Me këtë rast policia i ka intervistuar edhe mjekun edhe personin që i ka sulmuar”, ka thënë ai, ndërkohë që është shprehur se mjekët pavarësisht se janë në grevë duhet të ofronin shërbimet emergjente.
“Edhe gjatë ditës së djeshme ne i kemi vizituar mjekët, me rastin e grevës që në raste emergjente të ofrojnë shërbime dhe të kenë kujdes me sjelljen ndaj pacientëve. Mendoj që sindikata e mjekëve duhet të jetë më vigjilente për të mbrojtur stafin dhe për të arritur qëllimet e tyre”, është shprehur Xhemajli.
Zyrtarja për Informim në Prokurorinë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini ka treguar se për shtetasin R.H brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Departamenti i Përgjithshëm, ka pranuar kallëzimin penal nga Policia e Kosovës, ndaj të dyshuarit R.H., i cili dyshohet se në qendrën shëndetësore në fshatin Zhegër, ka sulmuar mjekun kujdestar. Prokurori i Shtetit, menjëherë ndaj të dyshuarit ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve. Gjithashtu, ndaj tij brenda afatit ligjor do të ushtrohet edhe Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan, me qëllim të sigurimit të të pandehurit në procedurë penale”, ka thënë ajo.



