Partia Socialiste pritet të kalojë në një periudhë intensive të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të qershorit 2019.
Edhe pse këto ditë, deri në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të së premtes, do të jenë ditë të sikletshme për ministrat e tij në pritje të vendimit të Kryeministrit, mësohet se do të jenë 2-3 ministri që do të pësojnë ndryshime. Burime pranë maxhorancës shprehen se në radarin e ndryshimeve janë edhe ministri, për të cilat Kryeministri ka shprehur rezerva dhe kritika dhe në mbledhjet e mëparshme të Asamblesë Kombëtare.
Edhe pse largimi dhe emërimi i një ministri mbetet kompetencë ekskluzive e Kryeministrit, nuk përjashtohet mundësia që ministrat e rinj që pritet të vijnë në qeveri t’u përkasin profileve më shumë teknike se politike, si në rastin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Vetë Kryeministri Rama u shpreh dy ditë më parë se e ka lexuar mirë mesazhin e protestës edhe për shkak të gabimeve që qeveria ka bërë.
“Kemi bërë gabimet tona. Gabime që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë, punojnë dhe që përpiqen të spostohen nga diku në diku tjetër dhe të marrin përsipër sfidat, si sfidat që ne kemi marrë përsipër, por e rëndësishme është që të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara. Ajo që është e sigurt, është që e kemi lexuar me shumë vëmendje dhe po e lexojmë me shumë respekt mesazhin e protestës”, tha Kryeministri Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së.
ASAMBLEJA
Mësohet se Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste që do të mblidhet më 28 dhjetor, do të nisë me fjalën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili do të bëjë një analizë të qeverisë së tij në një vit, por me fokus ngjarjet e fundit. Gjatë kësaj fjale pritet të bëhen publike dhe vendimet e tij për lëvizjet në kabinetin e tij.
Më pas, Asambleja do të hyjë në proceset organizative të PS-së, e kryesisht me hapjen e partisë për më shumë të rinj dhe gra. Mësohet se Asambleja do të miratojë një propozim për të përfshirë në çdo organizatë dhe forum të PS-së 30 për qind gra dhe 30 për qind të rinj. Edhe pse kjo përqindje është vendosur pa u kthyer në normë që kur u vendosën kriteret gjinore në listat e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, ky vendim do t’i hapë rrugë një ripërtëritje të organizatave socialiste, ku të rinjtë dhe gratë do të dominojnë organizatat me 60 për qind të tyre me prurje të reja.
Kjo duket se do jetë masa e parë për të mbyllur hendekun mes PS-së dhe qytetarëve, një nga shqetësimet e ngritura në Kryesinë socialiste dy ditë më parë e që lidhej me perceptimin e dobët të qytetarëve ndaj reformave të qeverisë dhe shkëputjes së PS-së nga qytetarët.


