Ditën e djeshme në gjyq ne vijim te seancave per vrasejn e te riut Marvi Mihali, dëshmoi edhe roja i kazinosë, përpara së cilës ndodhi ngjarja.
Ai ka thënë para trupës gjykuese se nuk e mbante mend mirë ngjarjen dhe se kishte parë fillimisht tre persona të afroheshin dhe pas tyre rreth pesë të tjerë, që ishin në një lokal aty pranë. Sipas tij, ata ishin konfliktuar me grushte, ndërsa pas pak momentesh, ka parë një person të shtrirë dhe një vajzë që thotë se kishin therur një djalë.
“Unë kam qenë në punë te një kazino te stadiumi ‘Dinamo’, atë ditë aty ka ndodhur një sherr. Unë kam parë 3 djem, që kanë ardhur nga lart, pas kësaj nga një lokal me lojëra aty pranë kanë dalë 5 çuna dhe kanë filluar të përlesheshin me grushte. Nuk kam parë thika dhe as personin që ka qëlluar, por pashë që është rrëzuar një nga personat që ishte pjesë e sherrit. Mbaj mend se ka qenë nga personat që erdhën, jo nga ata që dolën nga lokali. Gjatë këtij momenti unë kam dëgjuar një vajzë të bërtasë dhe të thotë se e therën një djalë. Ajo ka shkruar drejt tij, ka hequr bluzën dhe ia ka hedhur sipër”, tha Besim Sokolaj.
Por gjatë dëshmisë së tij, kanë ndërhyrë prindërit e Marvi Mihalit. Sipas Mira Mihalit, dëshmitari gënjen kur thotë se ai ka qenë larg, pasi nga pamjet filmike rezulton se ka qenë shumë pranë dhe se nuk ka lëvizur për të ndërhyrë. Ndërkohë që roja nuk i është përgjigjur akuzave të Mira Mihalit. Procesi gjyqësor është në fazën e marrjes së provave të akuzës, ndërsa seanca e djeshme u shty, pasi pritet që të merret edhe dëshmia e dy të pandehurve, Dejvi dhe Eugen Bitrajt, si dëshmi të kërkuara nga prokurori.
Marvi Mihali u vra me thikë në korrik të vitit 2017, edhe pse konflikti i lindur nuk kishte lidhje me të. Sipas hetimeve, Marvi Mihali, atë ditë, ishte telefonuar nga shoku i tij, i cili i kërkonte ta shoqëronte në një takim me disa djem, që u kishte shitur një telefon.
Ai i kërkoi Marvi Mihalit që ta shoqëronte në momentin që do t’i dorëzonte karikuesin. Edhe pse Marvi refuzoi disa herë ta shoqëronte mikun e tij, në fund fare, pas insistimit të tij, pranoi të shkonte me të. Pika e takimit ishte në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Mirëpo, në kampin tjetër, kushërinjtë Bitraj dhe Alla kishin përgatitur një pritë ndaj të rinjve.


