Interpol Tirana ka ekstraduar dy ditë më parë Alban Bucin, i njohur si sekseri i gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili u dënua me 2 vite e 6 muaj burg në muajin nëntor.
Përgjimi i një numri telefonik të përdorur në qeli nga Doda, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ka sjellë dyshimet e arsyeshme për përfshirje në aferën korruptive të disa personave. Gentian Doda u kërkonte personave jashtë burgut që t’i siguronin një shumë prej 30 mijë eurosh, që dyshohet të jetë përdorur për ryshfet në Gjykatën e Apelit.
PERGJIMET
“Panorama” po risjell përgjimet e bisedave telefonike, mesazhet dhe përgjimet ambientale që gjenden në dosjen e Prokurorisë, në bazë të të cilave u arrestua gjyqtari Shkëlqim Miri, që janë publikuar edhe një vit më parë.
Episodi më i qartë ku flitet për gjyqtarin që do të merrte paratë, është një bisedë telefonike që nëna e Gentian Dodës, Bukurie Doda, ka bërë me mikun e tij, Alban Buci, i cili u ekstradua dy ditë më parë. Buci e siguron nënën e Dodës se i biri do të dalë, pasi e ka sqaruar me atë që ka çekiçin (duke iu referuar gjyqtarit).
Më poshtë, përgjimet e zbardhura në dosjen e Prokurorisë.
Në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017, në orën 12:00, Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave. “Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme apo ke 14? Sa janë? Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin”, thotë Doda.
Pas mbledhjes së parave, ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, më 23 maj 2017.
Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Më datë 23 maj 2017, pas largimit nga lokali, shtetasi Alban Buci rezulton e provuar të ketë shkëmbyer disa mesazhe me shtetasin Gentian Doda në lidhje me takimin e mësipërm, ku ky i fundit i shpjegon se: “…po ashtu në orën 08:30 po shkojmë se o tu prit ai burri huj…”.
Në komunikimin telefonik të datës 25 maj mes Alban Bucit dhe nënës së Gentian Dodës, Buci i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu.
“Rri pa merak, se e kam sqaruar unë atë punë. E kam sqaruar pardje me atë që ka çekiçin. I kam sqaruar gjërat. I kam dhënë një thes me dokumente. Shyqyr ka me dalë dhe ai se na ka fikë më. S’kemi as brekë me vesh s’kemi. Jemi shkund krejtë. S’kemi çar me i bë tjetër”, thotë Buci.
“Veç të dalin, pas Zotin”, thotë Bukure Doda, nëna e Gentian Dodës. “I thashë atij gjyqtarit, daku mos kërko më se s’kemi çarë me të dhënë tjetër, veç shpirtin”, shprehet Buci.
Shkëlqim Miri u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim
Ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, i cili u arrestua në nëntor të vitit 2017, me afro 33 milionë lekë në shtëpi, u dënua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Ndërkohë që përfitoi ulje me një të tretën e dënimit për shkak se pranoi gjykim të shkurtuar, ndonëse nuk pranoi fajësinë. Në vendimin e dhënë më 27 nëntor, afro një vit pas arrestimit, Gjykata e dënoi Mirin me 2 vite e 6 muaj burg. Kushëriri i tij, Kujtim Miri, i cili u akuzua si “sekseri” që i dha paratë Shkëlqim Mirit, në përfundim u dënua me një vit e 8 muaj heqje lirie.


