Pas bërjes publike të kërcënimit të gazetarit Ylli Rakipi ka reaguar edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Më herët, drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi thotë se është kërcenuar me jetë.
Gazetari tregon se ka marrë disa mesazhe këcënuese të cilat sipas tij janë të formave të ndryshme.
Kërcenimet janë bërë së pari në mënyrë indirekte, nëpërmjet postës elektronike dhe më pas edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
***
Në një deklaratë të institucionit të Presidencës thuhet se “Presidenti Meta shprehu solidaritetin e tij me z. Rakipi dhe të gjithë gazetarët që me guxim e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave”.
Në vijim të deklaratës, “Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve”.
Ja njoftimi i plotë:
Presidenti Meta dënon kërcënimet ndaj gazetarit, Ylli Rakipi
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta pasi u njoh nga mediat me kërcënimet e bëra ndaj gazetarit të njohur, zotit Ylli Rakipi, priti në një takim të veçantë z.Rakipi dhe u njoh me shqetësimet dhe kërcënimet ndaj tij për shkak të detyrës.
Presidenti Meta shprehu solidaritetin e tij me z.Rakipi dhe të gjithë gazetarët që me guxim e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.
Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve.
Presidenti Meta i bën thirrje të gjithë gazetarëve të denoncojnë çdo presion e shantazh që u bëhet në cënim të misionit të tyre i cili është vendimtar për demokracinë e sundimin e ligjit.


