Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, tha në “A show” në News24, se çështja e ligjit të luftës me Greqinë është drejt zgjidhjes. Bushati tha se tashmë ka dakordësi me palën greke për ta shfuqizuar këtë ligj.
“Unë jam besimplotë që përsa i përket shfuqizimit të ligjit të luftës kjo do të ndodh. Ka një dakordësi për ta shfuqizuar ligjin e luftës që është bërë publik edhe nga qeveria greke, për herë të parë pra kemi një pranim të tillë se deri para pak kohësh pretendohej që nuk ekziston apo është një relike e së shkuarës dhe jam po ashtu besimplotë që shfuqizimi i këtij ligji do të pasohet gjithashtu edhe me shfuqizimin e të gjitha pasojave që pengojnë qoftë qytetarët shqiptar apo shtetin shqiptarë por edhe përfaqësuesit e pakicës kombëtare që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë prona të sekuestruara bazuar mbi këtë ligj”, tha Bushati.
Ok….Greqia. Ka një ndjesi që ndërkohë që marrëdhënia juaj me Kotsias ka qenë shumë e vjetër dhe personale, pothuaj e sheqerosur thanë burime, por që marrëdhënia me Greqinë ka qenë tradicionale edhe gjatë kësaj periudhe që është dhënë një ndjesi që po ndodhin gjëra të mira dhe ndërkohë gjëra të mira nuk kanë ndodhur, përveç patentave.
Është e vërtetë, sidomos periudhën e fundit, kemi prapë një rikthim në llogore dhe më shumë ka deklarata dhe retorikë sesa veprime konkrete. E kam vënë re dhe personalisht që për Ministrin e Jashtëm apo për një politikan, është shumë herë më e thjeshtë të bësh një deklaratë sesa për t’u ulur dhe për të gjetur zgjidhje në tryezën e bisedimeve sepse zgjidhjet në tryezën e bisedimeve janë gjithmonë më të vështira. Në disa raste nuk janë fort popullore dhe në disa raste nuk mund të jenë domosdoshmërisht ato që njëra nga palët mendon se është zgjidhja finale.
Më ka bërë një përshtypje në rrethet gazetareske që gjatë periudhës që ju keni negociuar me Kotzias për probleme të forta, siç janë për shembull 12 miljet… Ju duket normale ndjeshmëria popullore për ato 12 miljet, po?
Ndjeshmëria popullore është normale që të jetë në lidhje me të gjithë paketën që ne po diskutojmë, nuk është vetëm çështja e detit, kemi dhe dy marrëveshje të tjera që ne po diskutojmë me palën greke për sa i përket kufirit tokësor. Besoj se në periudhën e fundit edhe ju mund t’ju ketë bërë përshtypje fakti se ka një tendencë për të lidhur territore të caktuara që sot për sot janë pjesë të Republikës së Shqipërisë, në një kontekst apo me një konotacion të caktuar historik dhe ka një intensifikim për fat të keq nga ana e Greqisë në këtë drejtim. Nuk mund të them që është qeveria, por ka qarqe politike që e thonë thuajse hapur. Ka çështje të natyrës historike që e kanë origjinën që tek ligji i luftës.
Stop. Pse marr ndjesinë që ju nuk e dashuroni shumë historinë?
Jo, unë…
Nuk mund të them që Reiz Malile ishte njohës i madh, po si me thënë e keni parë historinë me Greqinë në fiorniturat dhe tonalititetet që ministri i jashtëm Kotsias e ka parë?
Përkundrazi edhe sikur të mos e dashurosh historinë, politika e jashtme është konseguencë e historisë dhe gjeografisë së këtij raporti. Kjo është edhe arsyeja pse ne me fqinjët kemi më shumë çështje, s’po them fjalën problem, për të zgjidhur.
Të diskutueshme.
Kjo është edhe arsyeja pse ndonjëherë të duket vetja se ne diskutojmë në logjikën e Luftës së Dytë Botërore apo të shek. XX për problem apo mbisfida të shek XXI.
Fjala vjen, do të zgjidhet sipas optikës suaj dhe analizës së deritanishme gjatë periudhës suaj në mandate si ministër për herën e dytë ligji i luftës?
Unë jam besimplotë që për sa i përket shfuqizimit të ligjit të luftës, kjo do të ndodh. Ka një dakordësi për ta shfuqizuar ligjin e luftës, që është bërë publik edhe nga qeveria greke. Për herë të parë kemi një pranim të tillë publik, sepse deri para pak kohësh pretendohej që nuk ekziston apo është një relike e së shkuarës dhe jam po ashtu besimplotë që shfuqizimi i këtij ligji do të pasohet gjithashtu edhe me shfuqizimin e të gjitha pasojave ligjore që pengojnë qoftë qytetarët shqiptar apo shtetin shqiptar, por edhe përfaqësuesit e pakicës kombëtare greke, që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë prona të sekuestruara bazuar mbi këtë ligj.


