Dy punonjës të kompanisë së sigurisë, që kryente transportin e parave nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës në një bankë të nivelit të dytë, kanë përfunduar në pranga pas grabitjes së 7.5 milionë lekëve.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë arrestuar Fejzi Sakaj, 46 vjeç, dhe Astrit Gjata, 55 vjeç, banues në Durrës, punonjës në një shoqëri sigurimi private. Sipas Policisë, ata janë arrestuar, pasi dyshohet të kenë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ku pasditen e së premtes, në lagjen nr.14 Shkozet, 3 persona, me një mjet, nën kërcënimin e armës u kanë marrë paratë. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për 7.5 milionë lekë të rinj, që po transportoheshin nga kompania private ku pjesë e skuadrës së shoqërimit ishin dy efektivët e arrestuar.
Sulmi ndaj tyre ka ndodhur në momentin që kanë ndaluar para filialit të bankës për të bërë dorëzimin e parave. Në këtë moment, dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë kërcënuar dhe marrë thesin me paratë.
“Fejzi Sakaj dhe Astrit Gjata, të dy banues në Durrës, akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë marrë masat e duhura për të ruajtur paratë që po transportonin. Ata, përveçse nuk kanë marrë masa për ruajtjen e parave, janë dorëzuar menjëherë duke iu bindur kërkesës së autorëve”, tha Policia.
Vetë efektivat e arrestuar thanë për hetuesit e ngjarjes se nuk janë të implikuar në ketë grabitje, por thjesht janë gjendur të papërgatitur në momentin që u sulmuan.
“Nuk kemi asnjë lidhje, nuk jemi të implikuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Thjesht ishim të papërgatitur në momentin që na sulmuan me armë. Nuk na shkonte mendja që do të na grabisnin para bankës. Vetëm aty nuk mund të ishe vigjilent, pasi është rrugë kryesore, ishim para bankës dhe në sy të shumë dëshmitarëve. Nuk e di si kanë marrë guximin dhe na sulmuan. Njëri na kishte drejtuar armën, ndërsa tjetri i ra me tytën e armës xhamit të makinës dhe morën çantën me para”, pohuan për grupin hetimor dy efektivat e arrestuar të shoqërisë së sigurimit.
Policia dyshon se autorët ende të paidentifikuar kanë pasur një person të brendshëm që dinte me saktësi orarin dhe itinerarin që do ndiqte mjeti që transportonte paratë nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, drejt bankës se nivelit të dytë, që mes njëra-tjetrës kanë një distancë shumë të shkurtër, me rreth 800-900 metra.
KËRKIMET
Kur kanë kaluar dy ditë nga ngjarja, Policia nuk ka ende asnjë person të arrestuar apo të dyshuar për grabitjen me armë. Por nga ana tjetër, Policia ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Shijakut dhe Durrësit mbi 10 persona, por asnjë të ndaluar si të dyshuar apo implikuar në këtë ngjarje. Ndërkohë, Policia po verifikon edhe mjetin që për- dorën autorët, i cili dyshohet të jetë me targa që i përkasin një mjeti, i cili prej kohësh kishte dalë nga qarkullimi.


