Protesta e studentëve është ndarë më dysh, studentët e vërtetë tek Ministria e Arsimit dhe një konglomerat FRPD, LRI dhe militantësh tek Zogu i Zi.
Burime pranë Partisë Demokratike konfirmojnë se qëllimi i kësaj strategjie është një: Inskenimi i skenarëve të dhunës, nga ana e “studetëve” për të mundësuar precipitimin e situatës.
Një numër prej të rinjve të FRPD, të cilët u panë në kamera në protestën e banorëve të Unazës së Madhe janë aktualisht të maskuar si studentë tek Zogu i Zi dhe kanë urdhër që të shfrytëzojnë situatën për të provokuar forcat e rendit.
Partia Demokratike është përpjekur për një javë rresht që të bindë studentët të protestojnë përpara Kryeministrisë, si dhe të tërheqë ata në një lëvizje të kryesuar prej saj.
Përballë refuzimit kategorik të studentëve për t’i dhënë protestës së tyre ngjyrime politike, duket se opozita ka kaluar në një skenar të dytë.
Aktualisht, përveç anëtarëve të organizatave rinore të PD dhe LSI, tek “Zogu i Zi” mësohet se janë të pranishëm edhe policë bashkiakë të Bashkisë së Kamzës dhe administratë e Bashkisë së Vorës, të dyja këto të kontrolluara nga Partia Demokratike.


