Zbulohen detaje të reja nga ‘lufta’ politike që PD i ka shpallur kryebashkiakut të Durrësit.
Emisioni Java në RTSH nënvizon se Partia Demokratike ka në dispozicion pjesë të veçanta të dosjes hetimore 339, që i ka marrë kohë më parë nga personazhe që kishin akses të plotë mbi të.
Në këtë dosje, me disa qindra orë të tjera përgjime të pazbardhura ende, ndër të tjerë, përmendet edhe kryetari i bashkisë së Durrësit. I supozuar për lidhje të papërshtatshme me elementë kriminalë, me përdorimin e tyre për fushatën zgjedhore dhe dhënien në këmbim të favoreve të pamerituara.
Në tre javët e fundit, pothuajse çdo ditë, një deputet i partisë demokratike ka kërkuar arrestimin e zotit Dako si të lidhur me krimin. Duke krijuar kështu një front të përbashkët kundër kryetarit të bashkisë së Durrësit.
Në përpjekje për të dekurajuar akuzat ndaj tij, kryebashkiaku durrsak ka paditur penalisht cilindo nga akuzuesit e tij.
“Siç po duket, ai do të vihet përpara të gjithë deputetëve të opozitës në sallën e gjyqit, përveç rastit kur dosja e famshme 339 nuk ka vajtur vetë në gjykatë, bashkë me të vërtetat e fshehura ende në mijëra faqe dokumentash dhe mijëra orë përgjimesh sekrete” – thekson redaksia e emisionit “Java” të premten mbrëma.


