Në kuadër të riorganizimit të Partisë Demokratike, nismë e ndërmarë nga Lulzim Basha, në Patos dy ditë më parë janë zhvilluar zgjedhjet për kreun e degës së PD-së.
Këto zgjedhje i fitoi Shezai Sinanaj, një ish-oficer policie i cili është arrestuar me datën 30 tetor 2015 me 13 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, dhe është akuzuar për trafik droge.
Sinanaj prej disa kohësh ka qënë kryetar grupseksioni dhe tashmë ka marrë drejtimin e PD-së së Patosit.
Ai njihet si një nga njerëzit e afërt të Enkelejd Alibeajt dhe i mbështetur fort prej këtij të fundit, por edhe Lulzim Bashës.
Njoftimi i plotë i policisë i datën 30 tetor 2015:
Fier, finalizohet me sukses operacioni i koduar “KOMAR”. Sekuestrohen 13 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa
Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, realizoi me sukses operacionin e koduar “Komar”. Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur ndalimi i shtetasve :
– Shezair Sinanaj, 55 vjeç, banues në lagjen “29 Marsi”, Patos, ish oficer policie.
– Dorian Sinanaj, 27 vjeç, banues në lagjen “29 Marsi” të qytetit të Patosit.
– Fuat Bakia, 52 vjeç, banues në fshatin Komar të Tepelenës.
Ndalimi i këtyre shtetasve, u bë për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotikëve të kryer në bashkëpunim”.
Gjatë kapjes dhe kontrollit të ushtruar, u gjet dhe sekuestrua një sasi prej 13 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, një presë me vakum dhe një peshore elektronike.


