Dy të vdekur dhe një fëmijë i plagosur është bilanci i një aksidenti automobilistik, që ndodhi mesditën e djeshme në zonën e Buranit në Nikël të Fushë-Krujës.
Islam Malja, 76 vjeç drejtuesi i furgonit dhe Lindita Mjekra, 50 vjeçe, mbetën menjëherë të vdekur në vend, ndërsa për mrekulli ka shpëtuar një fëmijë 10-vjeçar që udhëtonte me ta.
“Më datë 24.11.2018, në fshatin Bura-Nikël, ka dalë nga rruga një mjet tip ‘Benz’ furgon dhe për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit I.M. (shoferi i mjetit) dhe L.M. (pasagjere) dhe është dëmtuar një fëmijë rreth 10 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë nën kujdesin e mjekëve”, tha Policia.
Sipas Policisë, paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, i cili, pasi ka humbur ndjenjat nën drejtimin e makinës, ka bërë ecje të çrregullt, duke dalë për pasojë nga rruga.
Mësohet se dy personat që ishin nga i njëjti fshat kanë humbur jetën kur furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në arë i përmbysur pranë fshatit Bura në Njësinë Administrative Nikël.
Viktimat, sipas të dhënave parapake, I.Malja drejtues i mjetit dhe L.Mjekra, janë banorë të njësisë Buran në zonën e Niklës në Fushë-Krujë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit tragjik, që i mori jetën dy personave dhe la të plagosur një fëmijë 10-vjeçar.
Ekspertët e aksidenteve thanë për “Panorama” se shkak për këtë aksident të rëndë është bërë vetë drejtuesi i mjetit, i cili dyshohet të ketë pësuar ndonjë atak kardiak, teksa ka qenë duke drejtuar mjetin.
Ndërkohë, makina ka ecur në gjendje të pakontrolluar për disa metra deri në momentin që doli nga rruga dhe përfundoi në një arë i përmbysur, çka ka rezultuar, për fat të keq, fatale për të dy.
Sipas të dhënave, gruaja dhe fëmija 10 vjeç janë ndodhur në rrugë, teksa i moshuari ka parë bashkëfshataren dhe i ka marrë për t’i çuar në fshatin ku jetonin. Por kjo ka rezultuar fatale për gruan.
Drejtuesit e mjeteve që ishin pas furgonit janë afruar për t’u dhënë ndihmën e parë personave që ndodheshin brenda.
Por ata kanë gjetur në jetë vetëm fëmijën 10 vjeç. Fëmija pasi ka marrë veten në spital, ka deklaruar se i moshuari kishte nisur të ankohet se ndihej keq para se të dilte nga rruga.


