Në ditën e 22-të të protestës për Unazën e Madhe, banorët e Astirit pritet të zhvendosen pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në kohën kur në gjykatë do të jepet masa e sigurisë për të ndaluarit e protestës, banorët do të kërkojnë nga gjykata lirimin e tyre.
Protesta pritet të nisë në orën 11:00, kohë kur nis edhe dhënia e masave të sigurisë. Banorët do të kërkojnë lirimin e banorëve të cilët janë shoqëruar në komisariat pas protestës së dhunshme para Parlamentit, e cila degradoi në dhunë fizike mes qytetarëve dhe policisë.
Protestuesit për të cilët prokuroria do të kërkojë arrest me burg janë; Fluturim Goleci, Ruzhdi Daci, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Amarildo Sinanaj dhe Shpati Bilbilaj. Ata akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.
Nga protesta u plagosën 15 efektivë, mes tyre efektivja Ina Nuka, e cila humbi 2 gishta, ndërsa u shoqëruan 25 persona, nga të cilët 6 u mbajtën në burg dhe sot për ta prokuroria do të kërkojë masën ‘arrest me burg’.


