Dy makina të parkuara afër njëra-tjetrës janë djegur gjatë natës në Durrës, ndërsa shënjestër dyshohet të ketë qenë njëra prej tyre, e cila është në pronësi të shtetasit O.G., me profesion inxhinier ndërtimi.
Sipas Policisë, mjetet kanë qenë të parkuara në rrugën “Mujo Ulqinaku”, pranë kryqëzimit të stadiumit “Niko Dovana”. Paraprakisht dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme të njërit prej automjeteve tip “Benz”, me targa AA 432 PL.
Por flakët e shkaktuara kanë dëmtuar në pjesën e përparme edhe makinën e parkuar pas saj. Sipas burimeve policore, pronarët e makinave nuk janë persona me funksione publike.
Pronari i “Benz”-it të shkrumbuar është me profesion inxhinier, ndërsa ai i mjetit tjetër është një biznesmen që merret me transport të mallrave të ndryshme. Aktualisht po hetohet për ndonjë konflikt të mundshëm të pronarit të mjetit të djegur plotësisht. “Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga hetimet paraprake rezulton se objekt djegieje ishte makina me targë AA 432 PL, në pronësi të një personi me profesion inxhinier, ndërsa makina tjetër që ndodhej pas saj e llojit ‘Benz’ me targa AA 581 JJ është djegur aksidentalisht, pasi ndodhej e parkuar pas makinës tjetër”, bëri të ditur Policia. Policia ka pyetur edhe pronarët e këtyre automjeteve, të cilët mësohet se e kanë mohuar që të kenë pasur konflikte. Fokusi i hetimit ka qenë pronari i mjetit, që nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se ngjarja ka qenë e qëllimtë.
Sipas burimeve të Policisë, ai ka mohuar të ketë konflikte, si në planin profesional ashtu edhe në atë personal. Ndërkaq, Policia ka zbuluar dinamikën e ngjarjes, pasi ka sekuestruar një kamerë sigurie të një prej bizneseve të zonës, por nuk ka mundur të identifikojë autorët që shfaqen të maskuar në sekuencat filmike të fiksuara prej kamerave. Nga pamjet që tashmë i disponon Policia, dy persona të maskuar janë afruar gjatë natës te makina “Benz” me targa AA 432 PL dhe e kanë spërkatur atë me mjet djegës, benzinë.
Më pas ata i kanë vënë flakën dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi. Flakët e kanë përfshirë menjëherë makinën dhe deri në mbërritjen e zjarrfikëses, “Benz”-i është shkrumbuar. Edhe mjeti i parkuar pas ka marrë dëmtime në pjesën e përparme.
Blutë janë duke hetuar kamerat e sigurisë edhe të subjekteve të tjera përgjatë rrugës, pasi autorët dyshohet të jenë ndihmuar nga persona të tjerë që mund t’i kenë pritur diku me makinë. Dëshmia e të dëmtuarit nuk ka qenë ndihmesë për grupin e hetimit, të cilët ende nuk kanë një indicie konkrete që do të mund t’i çonte drejt identifikimit dhe arrestimit të autorëve që shfaqen të maskuar.
“Kemi marrë në pyetje të dëmtuarin nga kjo ngjarje, por ai ka mohuar që të ketë pasur konflikte me persona të tjerë, ne po hetojmë të gjitha pistat e mundshme pa përjashtuar asnjë prej tyre, përfshirë këtu edhe konfliktet për shkak të punës apo ato personale”, bëri të ditur Policia e Durrësit, e cila po heton këtë ngjarje që ndodhi në Lagjen Nr.5 të këtij qyteti.



