Ekzekutimi mafioz i të paprekshmit të Vlorës Edison Harizaj, nuk ka asnjë person të dyshuar. 39-vjeçarit dje iu dha lamtumira e fundit në Vlorë, ndërkohë që ceremonia e varrimit është shoqëruar me masa të forta sigurie, të ndërmara nga vetë shoqëria e viktimës në kompleksin “Oslo” në Vlorë. Prej 48 orësh policia e Durrësit dhe ajo e Vlorës nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë dyshime, qoftë dhe mbi njërin nga autorët e këtij krimi që tronditi Durrësin.
Grupi i hetimit është përqendruar në dy pista, por pa përjashtuar edhe të tjera për efekt të së shkuarës kriminale të Harizajt, ku ishte implikuar në vrasje, gjobëvënie dhe trafik droge. Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, një prej pistave kryesore mbetet larja e hesapeve mes grupeve kriminale. 39- vjeçari njihej si mik i Shullazit. Ka dyshime të forta se eliminimi ka ardhur pikërisht për shkak të implikimit të tij në krime të rënda, të ideuara dhe urdhëruara prej Emiljano Shullazit.
Një tjetër pistë që po hetohet është ajo e vrasjes për hakmarrje, pasi emri i Harizajt doli në skenë nga një i penduar i vetëdorëzuar në Policinë e Fierit, i cili deklaronte se Albano Xhaferri, i kthyer nga Belgjika, ishte vrarë në Vlorë me porosi të Edison Harizajt. Burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime të forta se plani për ekzekutimin e 39-vjeçarit kishte nisur kohë më parë, por ishte dekonspiruar.
Për këtë shkak, Harizaj mori masa duke hequr qafe Albano Xhaferrin, i cili sipas të dhënave ishte pajtuar që në Belgjikë që të kthehej në Vlorë për ta mbajtur Harizajn nën vëzhgim.
“Dyshojmë se autori është një person me precedentë penalë i dënuar për vrasje, që ka mundur të arratiset nga burgu dhe prej kohësh strehohet në Belgjikë. Ai cilësohet si njeri i rrezikshëm dhe pjesë e një bande kriminale në Vlorë”,thanë burime nga Policia, pa përjashtuar as pistën e një ngjarjeje kriminale që ka lidhje me bandën e Shullazit.
Burime pranë policisë së Durrësit thanë se hetimi i kësaj ngjarje është tepër i vështirë, pasi në ngjarje të tilla askush nuk është i gatshëm të flasë e të bashkëpunojë, por edhe për shkak se viktima, ishte një person problematik dhe me hesape të hapura me shumë persona. Për më tepër Harizaj është dënuar me 19 vite burg nga gjykata e Vlorës, për akuzën e vrasjes në Vlorë të shtetasit Erjon Ahmeti dhe plagosjen rëndë të dy shokëve të tij Ferdinand Deda dhe Neritan Rama.
Nga verifikimet e kryera rezulton se Harizaj i dyshuar për një seri krimesh në Vlorë, dhe i përmendur së fundi në dëshminë e një të penduari në Vlorë, e ka kryer dënimin me 19 vite burgim, duke dalë nga qelia në datën 23 korrik 2010. Vendimin për dënimin e tij e ka dhënë gjyqtarja e Krujës Alma Hoxha, e cila dyshohet se përmes një pagesë prej 9.5 milion lekë të vjetra ka urdhëruar lirimin e Harizaj nga qelia, duke i falur dënimin e mbetur prej 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim, të fortit të Vlorës.
Sipas vendimit gjykatësja urdhëronte në 2010 që këtë dënim të mbetur Harizaj, duhet ta kryente në shtëpi,dhe të mbante kontakte të vazhdueshme me shërbimin e provës në Vlorë. Si për ironi, në një ndër pikat e këtij vendimi gjykatësja Alma Hoxha në korrik 2010, urdhëronte që Edison Harizaj detyrohej që gjatë kësaj kohe të ushtronte një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional, si dhe të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale.


