Zbardhet buxheti për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, u diskutua buxheti për SHISH për vitin 2019 ku drejtori i Shërbimit të Inteligjencës kërkoi më shumë para nga buxheti i shtetit për të ushtruar veprimtarinë e institucionit për vitin 2019.
Konkretisht, bëhet fjalë për një shtesë fondi prej 195 milionë e ndarë në katër zëra. Bëhet fjalë për një shtesë fondi për paga dhe sigurime për personelin, mallra dhe shërbime, transferta dhe investime.
AGJENTË
Sipas kërkesës së bërë nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror, në buxhetin vjetor për vitin 2019, institucioni kërkoi shtesë fondi për 5 koordinatorë të rinj jashtë vendit, të cilët do të përcjellin informacioni për SHISH. Sipas shkresës së përcjellë thuhet se: “Kërkesa shtesë përfshin mbulimin e efekteve financiare për pesë koordinatorët e rinj, për kosto jetese, sigurim shoqëror dhe shëndetësor si dhe shpërblimin mujor të bashkëshortëve dhe fëmijëve të koordinatorëve, në zbatim të ligjit nr.23/2015 për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si dhe akteve në zbatim të tij”.
PAJISJET
SHISH ka kërkuar gjithashtu edhe më shumë fonde për sa u përket pajisjeve që përdor agjencia. Së pari, bëhet fjalë për mirëmbajtjen e sistemit “PALANTIR”, i cili është një program amerikan që përdoret nga agjencitë e inteligjencës në luftën kundër terrorizmit dhe analizimin e të dhënave që mblidhen në agjenci. Krahas kësaj, Shërbimi Informativ Shtetëror parashikon që për vitin 2019 të shpenzojë edhe 17 milionë lekë në blerje pajisjes operative dhe instalime pajisjes që përdoren nga agjencia. SHISH ka kërkuar gjithashtu edhe 24 milionë lekë për blerje automjetesh. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura. Për të paraqitur kërkesat e Shërbimit Informativ Shtetëror, ishte i pranishëm Drejtori i sapodekretuar, Helidon Bendo. Në hapje të seancës, kryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj, e uroi Bendon për pozicionin e ri. Kreu i SHISH nga ana e tij kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar që paraqiste buxheti i institucionit për vitin 2019. Krahas kësaj, Bendo u shpreh se Shërbimi Informativ është në proces reformimi për sa i përket transparencës me publikun, duke u shprehur se për këtë çështje do të ketë një vendimmarrje në muajin dhjetor.



