Paulo Dybala është një nga “fiksimet” e presidentit të Real Madrid, Florentino Perez. Real Madrid po kalon një moment shumë të keq në kampionat, me ekipin e Zidane që nuk ka arritur të shkojë më larg se një barazim pa gola në fushën e Athletic Bilbao, në javën e fundit të kampionatit, duke mos arritur të përfitojë nga ndalesa e Barcelona-s, që ka barazuar 2-2 me Celta Vigo në shtëpi.
Problemi kryesor i madrilenëve është reparti i sulmit, me Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema që kanë realizuar të dy bashkë katër gola në 10 ndeshje të kampionatit.
Një problem ky që është konfirmuar edhe në ndeshjen e luajtur në “San Mames” ku rastet për gola nuk kanë munguar për miqtë, por golat nuk kanë ardhur.
Për këtë arsye, drejtuesit e Real Madridit janë vënë në kërkim të një sulmuesi që do të mund t’i garantonte atyre ato gola që nuk po i garantojnë francezi dhe portugezi.
Një nga objektivat është pikërisht sulmuesi i Juventus, Paulo Dybala, i cili ka realizuar 12 gola në 15 javët e para të kampionatit italian.
Argjentinasi konsiderohet i paprekshëm për bardhezinjtë, por Reali duket se ka ndërmend ta bindë “Zonjën” duke përfshirë në operacionin kampionin e botës me Gjermaninë, Toni Kroos.
27-vjeçari i Realit vlen 71 milionë euro në treg, po aq sa Dybala, por është tre vjet më i madh se “Joya”. Ish-lojtari i Bayern ka luajtur 19 ndeshje në këtë sezon, në të gjitha kompeticionet, dhe ka realizuar 1 gol dhe 3 asiste.


