Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatitet për të ngritur një njësi shtetërore, e cila do të menaxhojë sistemin e pagesave në rrugë, me qëllim që mos t’i lihet në dorë vetëm kompanive private.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
“Pra jo më thjesht modelin që t’i marrin thjesht privatet, por autoriteti, siç e kanë shumë vende, të ketë mundësi atje ku ka atje ku rrugë alternative dhe kur është e mundur pagesa për mirëmbajtjen e rrugëve nëpërmjet një projekti me Bankën Botërore po bëjmë një skemë ku të kemi një ndërmarrje shtetërore apo një njësi ekonomike brenda ARRSH për ta mirëmenaxhuar këtë gjë dhe kjo do jetë shumë e ndershme me publikun në fund të fundit”, u shpreh ai.
Gjiknuri prezantoi një aplikacion për smartphone ku qytetarët mund të raportojnë në kohë reale, për problemet me mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurinë rrugore.
Synimi i këtij aplikacioni është që të ndërhyhet sa më shpejt nga kompanitë që kanë kontratat e mirëmbajtjes.
“Nëpërmjet këtij aplikacioni na ndihmoni të kontrollojmë punën tonë më mirë, pra kompanitë që kanë marrë përsipër ta bëjnë dhe njëkohësisht të masim performacën e tyre dhe të përgjigjemi në kohë, tha ai.
Shqipëria ka shpenzuar në katër vitet e fundit rreth 22 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërkohë që, nga 2017 deri në 2022 janë parashikuar 200 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rreth 1500 km në rrugë.


