Një foto, e cila u tregua sot në seancën gjyqësore nga avokati i Rexhep Rrajës, tregon se Xhisiela Maloku dhe Rexhep Rraja janë filmuar nga kamerat e sigurisë duke u puthur para makinës, pasi kishin dalë nga hoteli.
Fotografia e siguruar tregon konkretisht daljen e dy të rinjve nga Hotel “Boçi”, më 19 korrik, në orën 18:28.
Avokati Ilir Murati e paraqiti këtë fotografi si provë në seancë, për të treguar se gjithçka është një histori rozë me uljet dhe ngritjet e saj, dhe se nuk ka përndjekje të vajzës nga klienti i tij.
E megjithatë, Gjykata e Apelit nuk e mori parasysh argumentin e avokatit e kësisoj vendosi ta lërë në “arrest me burg” Rexhep Rrajën.
Pas seancës, avokati Ilir Murati tha se Gjykata vendosi nën diktatin politik dhe mediatik, në shkelje të ligjit.
Murati dhe tha se Xhisiela Maloku i ka tërhequr akuzat dhe denoncimin, ndaj klienti i tij nuk ka pse të mbahet në burg.
“Xhisiela ka bërë tre deklarime si qëndron vepra dhe tre më pas ku i mohon dhe madje i tërheq. Nëse një person mohon gjithçka që ka thënë më parë duhet të mbajë përgjegjësi penale për veprën që ka kryer dhe klienti im duhet të ishte i lirë”, është shprehur ai.



