Forumi Ekonomik Botëror ka publikuar raportin e fundit të Konkurrueshmërisë Globale (2018-2019), sipas të cilit, në sitën e 140 ekonomive botërore, Shqipëria renditet e 76-ta, me një shkallë rënëse krahasuar me një vit më parë.
Garën rajonale e ka fituar Serbia, e renditur e 650, ndjekur nga Mali i Zi, i 71-i. Ndërsa Shqipëria renditet më lart se sa Maqedonia, e cila shihet e 84-a, dhe Bosnja e Hercegovina e 91-a.
Nga analiza e detajuar e raportit konstatohet se faktori më problematik , i cilësuar si i tillë nga raporti, është krimi i organizuar, performanca e gjyqësorit, eficensa legjislative, ndjekur më pas edhe nga problematika në të drejtat e pronësisë. Një tjetër shqetësim, pjesë e një komponenti të rëndësishëm, si ai i institucional, është aftësia ligjorë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Më pas renditen inflacioni, aksesi në financë, rregullimi i taksave, tregu i punës, tregu për një produkt të caktuar, për të vijuar deri te shqetësimet e tjera insitucionale dhe infrastrukturore. Në çështjet infrastrukturore, vijojmë të përformojmë keq në ndërlidhjet rrugore dhe eficiencën e lidhjes përmes trenave.
Një vit më parë, në renditjen e vitit 2017-2018, Shqipëria renditej e 75-a, me plot 5 shkallë përmirësimi nga një vit më parë. Sipas analizës, ka qenë korrupsioni shqetësimi kryesor, me 23.6 pikë, i ndjekur nga taksat me 21.3 pikë.
Këtë vit, analiza ka ndryshuar, duke u bazuar kryesisht te kapitali njerëzor, analizat rreth produktivitetit nga ku ka marrë emrin “Indeksi i Konkurrueshmërisë Globale 4.0”.
Raporti merr në konsideratë 12 shtylla kryesore : institucionet, Infrastruktura, mjedisin makroekonomik, shëndetin dhe edukimin parësor, edukimin e lartë dhe trajnimin, eficiencën e tregjeve, eficiencën e tregjeve të punës, zhvillimet e tregut financiar, teknologjinë, madhësinë e tregjeve, sofistikimin e bizneseve dhe novacionin.
Shqipëria ka renditjen më të mirë në treguesin e shëndetit dhe edukimit primar. Edhe edukimi i lartë dhe trajnimi kanë renditje pozitive. Më keq Shqipëria paraqitet në treguesin e risive dhe sofistikimit.
Shtetet më konkurruese në botë mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Gjermania, Zvicra, Japonia dhe Hollanda. Renditen në fund Haiti, Jemeni dhe çadi.
Studimi i FEB është një ndër vlerësimet më të plota dhe komplekse të ekonomive kombëtare.



