Pas arrestimit të juristit Ervis Bregasi, i cili akuzohet për korrupsion, ka ardhur dhe një reagim nga Hipoteka Fier.
Në një reagim për mediat Hipoteka shkruan se Bregasi është shkarkuar nga detyra.
Reagimi nga Hipoteka
Shtetasi Ervis Bregasi, i arrestuar sot nga Policia, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” është shkarkuar nga detyra si specialist i ZVRPP Fier që në muajin maj të këtij viti.
Bregasi, i cili ka kryer detyrën e juristit është denoncuar në muajin maj nga media pasi i kishte kërkuar rryshfet një qytetari, në këmbim të çertifikatës së pronësisë.
Menjëherë pas publikimit të rastit, specialisti është shkarkuar nga detyra dhe ndaj tij është kryer Kallëzim Penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.
Arrestimi i këtij ish-nëpunësi të administratës publike është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit efikas mes Task Forcës Antikorrupsion dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese për të dokumentuar çdo rast korrupsioni, të denoncuar nga qytetarët apo media dhe për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë shkelësit e ligjit.
EMRI/ Pranga juristit të ZVRPP Fier, ja për çfarë akuzohet
Është arrestuar në Fier juristi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Ervis Bregasi, 32 vjeç, banues në Cakran është arrestuar pasi akuzohet se ka kryer korrupsion.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 26.05.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga Neni 259 i Kodit Penal.



