Deputeti i Partinë Demokratike Ervin Salinaji ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me hetimet për dosjen “Babale”. Ai do të pyetet si person nën hetim në lidhje me audio- përgjimin që trazoi politikën shqiptare prej muajit maj të këtij viti, por që duket se po rezulton mashtrim.
Salianji është futur i vetëm, pa avokat te Krimet e Rënda, ndërsa prej orës 09:30 po merret në pyetje nga dy prokurorët Përparim Kulluri dhe Genti Osmani. Ai është në hetim për akuzën e kallëzimit të rremë së bashku me Albert Veliun, i arrestuar dje në Kosovë, Fredi Alizotin i prangosur pak ditë më parë dhe gazetarin Jetmir Olldashi që ndodhet në masën detyrim paraqitje.
Albert Veliu akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin Babalja 1, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge me Albert Veliun. Ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Anglia, që vulosi fatin e Babales, aty qartësohej se zëri në audio-përgjim nuk ishte i Agron Xhafës.
Pak ditë më parë u publikuan edhe pjesë edhe nga përgjimet e prokurorisë ku del në pah se gjithçka në adresë të Agron Xhafajt ka qenë e inskenuar nga protagonistët Albert Veliu dhe kunati i tij, Fredi Alizoti i cili ka imituar zërin e vëllait të ministrit. Sipas përgjimeve rezulton se Babales dhe Alizotit i ishin premtuar nga 100 mijë euro secili, nga deputeti me mbiemër ‘Salianji’.
Ndërkohë që Salianji para dy ditësh publikoi edhe një video të kunatit të Babales, Fredi Alizoti që implikon drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Taulant Ballën, por dëshmia dhe përgjimet para ditës që ai pretendon se ka takuar Ardi Veliun e rrëzojnë. Në lidhje me dosjen Babale, Salianji publikoi mbrëmëedhe disa traskipte të tjera nga përgjimet duke implikuar sërish Ballën.
Deputeti Salianji ka deklaruar se dokumentet janë pjesë e dosjes zyrtare të hetimeve të prokurorisë për çështjen “Babale”, por në to ka disa gabime paksa të rënda që nuk i shkojnë për shtat një dokumenti zyrtar duke ngritur dyshime të forta.


