Në kulmin e një aksioni të zhurmshëm opozitar që përkoi me sezonin e ri politik, Partia Demokratike ka njoftuar papritur, mbajtjen e zgjedhjevë brenda strukturave të veta. Zgjedhje që do të përfshijnë nivelin bazë të organizimit të kësaj partie në terren, bëhen 9 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme lokale të qershorit 2019 dhe disa muaj pas afatit që përcakton statuti i kësaj partie.
Ajo që mësohet deri më tani, janë tri elementë:
a.- Kalendari, që përcakton fundin e tetorit si limitin kohor për ta përfunduar këtë proces;
b.- Lista, e drejtuesve kryesorë politikë të kësaj fushate nëpër qarqe;
c.- Kategoritë, e anëtarësisë së kësaj partie, që pritet të jenë edhe votuesit.
Ajo që bie në sy në këtë planifikim normal pune për një parti politike, është fakti se kryetari i PD Lulzim Basha ka udhëzuar qartë se nuk do të lejohen të marin pjesë në votim “ata anëtarë që kanë kaluar apo kanë punuar në formacione të tjera politike kundërshtare”. E thënë alla shqiptarçe, as në këto zgjedhje, brenda PD nuk ka më vend për “tradhëtarët”.
Për aq kohë sa e gjitha kjo shihet si një çështje organizative, ky është një proces i brendshëm i një force politike. Nga ana tjetër, në një sistem pluralist, këtu kemi të bëjmë edhe me një çështje demokracie. Nga mënyra e funksionimit të një partie politike, nga gradët e lirisë dhe rregullat e brendshme demokratike ose jo,- nga ana e saj sot,- ne kemi mundësinë që të kuptojmë cilësinë e qeverisjes, kur PD të vijë nesër në pushtet.
Përtej këtij diskutimi, ka edhe një aspekt tjetër ku mund të ndalohet, kur është fjala për partinë më të madhe opozitare sot në Shqipëri. E ajo lidhet më fatin e aksionit të saj opozitar. Një aksion që pas pushimeve verore të gushtit, ka rinisur në ditët e para të shtatorit, nëpërmjet një serie denoncimesh publike për personazhe dhe çështje të rëndësishme politike, që lidhen me mazhorancën qeverisë në vend dhe drejtuesit e saj.
Nga biseda e përgjuar mes ish kryetarit të KQZ dhe anëtarit shiptar të Gjykatës së Strasburgut, që shënoi puntatën e parë të një seriali denoncimesh në formën e një telenovele të përditëshme politike, e deri tek më e fundit për djalin e një deputeti të PS të akuzuar për përdhunimin e një vajze, PD dhe lidershipi i saj janë munduar që ta paraqesin këtë, si një fushatë për Shqipërinë. Por, siç po kuptohet më qartë tashmë, më shumë sesa një fushatë për zgjedhjet e përgjithshme lokale në gjithë Shqipërinë, zgjedhjet e brendshme e bëjnë të gjithën këtë, që ajo të tingëllojë si një fushatë për partinë.
Së pari, kjo duket si një fushatë më shumë për partinë sesa për Shqipërinë, pasi Kryetari i PD Lulzim Basha vazhdon që të ketë një problem ende të pazgjidhur me shumë ish drejtues të kësaj partie, të cilët i la jashtë listës së deputetëve në zgjedhjet e 2017.
Së dyti, duke mos zhvilluar zgjedhje të brendshme në nivelin bazë, për një kohë edhe më të gjatë sesa e përcakton statuti i partisë, Lulzim Basha ka një problem ende të pazgjidhur me shumë drejtues lokalë të PD në qarqe, bashki dhe njësitë administrative të vendit.
Së treti, duke mos zhvilluar prej shumë kohësh ture takimesh me bazën dhe duke mos mbajtur prej më shumë se katër muajsh mitingje në sheshe,- që janë një nga “specialitetet” e PD kur ajo qëndron në opozitë,- Lulzim Basha ka një problem ende të pazgjidhur me anëtarësinë e thjeshtë të partisë.
Këto, por ndoshta edhe arësye të tjera, të bëjnë që të besosh se seriali i denoncimeve dhe çështjeve të zhurmshme që po shoqërojnë aksionin opozitar të shtatorit, më shumë se me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, kanë lidhje me procesin e muajit të ardhshëm. Më shumë se me zgjedhjet në 61 bashkitë e vendit, ato kanë lidhje me zgjedhjet brenda PD-së. Më shumë sesa një fushatë për Shqipërinë, Lulzim Basha po bën tani për tani, një fushatë për partinë.


