Zëvendës-ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari shprehet se autoritet shqiptare kanë kërkuar që në prill nga Belgjika vendimin e dhënë nga drejtësia atje për Safet Bajrin, në mënyrë që të kryhej arrestimi, por procedurat kanë vonuar 5 muaj.
“Autoritetet shqiptare kanë kërkuar disa herë që nga prilli 2018 për vendimin e gjykatës kundër Safet Bajrit (Rustemi)”, citohet Besfort Lamallari nga mediat belge.
Nëse vendimi nga Belgjika vinte më shpejt, kjo do të kishte sjellë arrestimin më herët të Safet Bajrit (Rustemit), për llogari të autoriteteve belge.
Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë në Belghikë Koen Geens, citohet nga e njëjta media të thotë se do të donte që dosja të transferohej më herët në Shqipëri, por shton që kemi të bëjmë me një gabim njerëzor.
Në Belgjikë diçka ka shkuar keq me procedurën, shpjegon. “Duhet të ishte aplikuar procedura e dënimit dhe të zbatohej procedura e transferimit”, thotë Geens. “Kjo mund të quhet gabim njerëzor.”
Tashmë dënimit me 22 vite burgim i dhënë ndaj Bajrit në Belgjikë, i është hapur rruga e konvertimin në vendin tonë. Ekstradimi i Bajrit në Belgjikë është i pamundur, pasi dy vendet nuk kanë një marrëveshje. Por, Shqipëria dhe Belgjika kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e dënimeve.
Ndaj Safet Bajrit, tashmë rëndojmë tre masa sigurie të arrestit me burg, dy të dhëna dje dhe një këtë të martë. 34-vjeçari u la në burg fillimisht nga Gjykata e Shkodrës për llogari të dënimit në Belgjikë dhe nga Krimet e Rënda për akuzat e grupit kriminal dhe trukim të ndeshjeve. Ndërsa sot, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar një tjetër masë këtë të martë për Safet Bajrin, duke e lënë në burg për armëmbajtje pa leje.
Si u lirua gabimisht
Më herët, mediat belge kanë raportuar se si Rustemi u deportua në Shqipëri për shkak të një gabimi teknik të gjykatës belge.
Gabimi qëndronte në faktin se Apeli e dënoi me 9 vite burg më 25 Janar, por nuk urdhëroi arrestimin e tij, por deportimin në Shqipëri dhe të gjitha shpenzimet e udhëtimit u paguan nga Belgjika.
Dënimi në Belgjikë
Këtë verë, policia belge e futi Safet Bajri u fut në listën e personave më të kërkuar Belgjikë, ndërsa emri i tij u fshi vetëm pas arrestimit në Tiranë.
Në përshkrimin që bënte policia belge për Safet Bajrin, i njohur edhe me mbiemrin Rustemi, zbardhej edhe dënimi me 22 vite burgim, i marrë nga gjykata atje:
“Më 25/01/2017, Safet Rustemi u dënua nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale që përpiqej të kontrollonte skenën e drogës dhe prostitucionit në Bruksel. Për këtë qëllim, ata (banda kriminale) nuk “kanë kursyer asnjë mjet”: shkatërrimi i pronës, përdorimi i armëve të zjarrit, tentativa për vrasje, zhvatje, trafikim të qenie njerëzore, në këtë rast gratë e reja të cilat u detyruara të prostituonin. Rustemi dhe bashkautorët e tij zakonisht silleshin shumë dhunshëm.
Më 22 shkurt 2018, ai përsëri dënohet nga Gjykata Penale e Brukselit me një burgim prej 8 vjetësh (në mungesë), si kreu i një bande kriminale që merret me importin dhe trafik droge. Po të njëjtën ditë, ai dënohet me pesë vjet burgim për posedim dhe trafikim droge dhe heqje të paligjshme të lirisë përmes kërcënimeve me vdekje”.





