Zbardhen detaje të reja nga grabitja e furgonit të linjës Firence-Vlorë u grabit mëngjesin e sotëm nën kërcënimin e armëve të zjarrit nga tre persona, pranë stadiumit ”Flamurtari” të qytetit bregdetar.
Në momentin e grabitjes, furgoni sapo kishte mbërritur dhe po parkonte. Udhëtarët ishin kryesisht pasagjerë që cilët vinin nga Italia, ndërsa shuma e parave të grabitura mbetet ende e paqartë, ndërsa dyshohet rreth 10 mijë euro.Vetëm njërit prej pasagjerëve, një të moshuari i cili vinte nga Italia, grabitësit i morën çantën me 4 mijë euro.
Burime pranë grupit hetimor thanë për Report Tv se dyshohet se grabitësit janë grup i mirë-organizuar, të ardhur nga Fushë Kruja ose Tirana dhe jo amatorë, nisur nga dinamika e ngjarjes, kryerja e grabitjes në një zonë mjaft të populluar dhe largimi nga vendi i ngjarjes duke përdorur dy automjete për të humbur gjurmët. Sipas policisë, një prej autorëve është Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Furgoni i përket një agjencie që bënte linjën Firence-Vlorë nëpërmjet tragetit, ndërsa shoferi i tij është Dëfrim Balili. Menjëherë pas ngjarjes, policia u vu në ndjekje të autorëve të cilët braktisën dy automjetet e përdorura në grabitje në fshatin Panaja. Blutë arritën të arrestonin një prej autorëve, ndërsa sekuestruan maskat, dorezat si dhe dy armë zjarri kallashnikov të cilat u përdorën në grabitje.
Në aksion ndodhen Forcat Delta, FNSH dhe policia e Vlorës. Grabitësi në kërkim dyshohet se fshihet në disa banesa të vjetra të fshatit Panaja, pak km larg Vlorës.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen:
Reagimi në kohë i Policisë, vë në pranga në kohë rekord njërin prej autorëve të vjedhjes me armë të ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e “Skelës”. Policia identifikon dhe autorin e dytë ku ende vijon ndjekja për kapjen tij. Ndërkohë është shoqëruar edhe një person i tretë dhe po punohet nëse është i përfshirë ose jo në ngjarjen e ndodhur. Sekuestrohen dy automjete dhe dy armë zjarri kallashnikovë të përdorura nga autorët.
Për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë angazhuar rreth 70 forca policore të përbëra nga shërbimet e Komisariatit, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Forcat Operacionale FNSH të Fierit.
Për ndjekjen e autorëve po përdoret edhe qeni i gjurmës.
Më datë 25.09.2018, rreth orës 09:05, në zonën e Skelës pranë stadiumit “Flamurtari”, 3 persona dyshohet të maskuar kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe dhunës shoferin e autobuzit të linjës “Itali-Vlorë”, si dhe disa nga pasagjerët e autobuzit.
Autorët e ngjarjes pas grabitjes janë larguar menjëherë me dy automjete , të cilët në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre kanë braktisur 2 mjetet me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes tek nënkalimi i “Panajasë” dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për tu fshehur në pyll.
Reagimi i menjëherëshëm i Policisë së Vlorës mbështetur nga FNSH e Fierit bëri të mundur që pas rreth 30 minutash ndjekje të kapej në kodrat e Panajasë njëri prej autorëve të grabitjes, konkretisht shtetasi: Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.
Ndërkohë Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre. Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen.
Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Policia vijon veprimet proceduriale dhe hetimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Operacioni vazhdon për kapjen e autorëve të tjerë.


