Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili sërish theksoi dje në një emision se shkëmbimi ose ndarja e Kosovës çon në luftë. Presidenti i tha Haradinajt “nëse do luftë nisja, por jo në studio televizive”. Këto deklarata presidenti Thaçi i bëri gjatë takimit që e pati sot me kreun e PDSH-së së Maqedonisë Menduh Thaçi.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka thënë se kufijtë janë bërë me luftë, Thaçi tha se cilido mund t’ia nisë luftës dhe se nuk e ka ndërmend t’i pengojë.
Por Thaçi i dërgoi një mesazh, duke i thënë se lufta bëhet në istikame, jo në studio televizive.
“Ata që po flasin për luftëra, unë nuk jam t’u i pengu, kush të ka qejf le t’ia nis ku të donë, ka 430 kilometra janë kufiri me Serbinë udha e hajrit ju qoftë le të shkojnë, lufta nuk zhvillohet në studio televizive por në istikame”, tha ai.
Kryeministri Ramush Haradinaj mbrëmë në emisionin “Opinion” ka thënë se bashkimi i Preshevës me Kosovën është përrallë pasi Serbia, sipas tij, nuk e jep atë territor pa luftë.
Presidenti, gjithashtu, ka deklaruar se kërkesën për bashkëngjitjen e Luginës në Kosovë e ka bërë vetë Lugina.
Ai thotë se po punon për të institucionalizuar këtë kërkesë, ndërkohë e ka ripërsëritur se nuk do ta lejojë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, as Republikën Srpska dhe se Ujmani dhe Trepça do mbesin të Kosovës sikurse janë.
Presidenti ka shpjeguar se është udhëheqës i delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në punimet e asamblesë së përgjithshme të OPKB-së dhe se do respektojnë gjithë axhendën dhe protokollin.
Ai deklaroi se do takohet me presidentin Trump dhe do të bisedojnë shkurt për çështjet aktuale në Kosovë dhe rajon.
Thaçi u shpreh se Kuvendi po vonohet me nxjerrjen e një rezolute që do të jepte një mbështetje të plotë të iniciativës për bashkëngjitjen e Luginës. Sipas tij, nëse kjo ndodh do të sjellë edhe më shumë paqe.


