Jetojmë në botën e portaleve, rrjeteve sociale dhe marrjes së informacionit për çdokënd, kudo dhe kurdo. Gjithë kjo shpërndarje e privatësisë së çdokujt na ka bërë me të vërtetë konfuzë për të dalluar personazhet publike që kanë një influencë apo një impakt në public, nga persona të tjerë që thjesht ndiqen shumë në rrjete sociale.
Megjithatë, mund të themi se një farë ekzagjerimi dhe dëshire të tejskajshme për klikime ekziston edhe në Shqipëri, aty ku mund t’ju ketë ndodhur që të shikoni sa e sa tituj në portale për personazhe që në fakt nuk kanë dhënë ndonjë kontribut në sferën publike, por thjesht njerëzit duan të dinë për ta dhe për jetën e tyre, sepse ata janë shumë të ndjekur në rrjete sociale dhe për arsye të ndryshme ata pëlqehen, pa qenë domosdoshmërish persona me impakt në art, politikë apo jetën sociale.
Erik Fullani (djali i ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë)
Djali i ish-guvernatorit Ardian Fullani është një emër shumë i lakuar në media. Shumë famë, shumë ndjekës, shumë bëma të tijat, njerëz që e shajnë, njerëz që e kopjojnë, njerëz që inspirohen prej tij dhe në fakt Eriku ka arritur të ketë pas portalet dhe vëmendjen (që duket se ai e dëshiron, ndaj dhe e fiton lehtësisht) edhe pa dhënë ndonjë kontribut të caktuar në showbiz. Megjithatë, duhet thënë se përveç të atit, Eriku mori edhe më shumë famë kur u pa në shoqërinë e labelit OTR, edhe pse nuk ka preferuar të jetë aty në rolin e këngëtarit, të paktën deri më tani.
Marina Fara (vajza e këngëtares, Eli Fara)
Një rast shumë i freskët, vajza e Eli Farës, Marina Fara dhe fejesa e saj me djalin nga Shkodra ka “çmendur” të gjitha portalet prej disa ditësh. Ato jo vetëm që po merren shumë me marrëdhënien e Marinës me partnerin e saj, por madje edhe me jetën që ka pasur ky i fundit vite më parë, duke studiuar çdo marrëdhënie që ai ka pasur me politikanë apo me bizneset që është marrë, ndërkohë që ai as nuk është personazh publik dhe as nuk ka kërkuar të jetë i tillë.
Majlinda (ish-e dashura e Majk)
Reperi Majk nuk qëndroi për një kohë të gjatë i lidhur me Majlindën, por kaq mjaftoi që kjo e fundit të bëhej shumë e famshme aq sa të flitet për të kudo, edhe tani që ajo dhe Majk janë ndarë. Gazetarët e portaleve e ndjekin me kuriozitet aktivitetin e saj pas ndarjes dhe bëjnë lajm çdo veprim që ajo bën, edhe pse duhet thënë se ajo vetë nuk ka aq dëshirë të jetë e ekspozuar duke qenë se i kushton pak vëmendje gjithë kësaj zhurme që shkakton.
Nusja e Shyrete Behlulit, Laerta

Besojmë se të gjithë ju keni parë së paku një fragment të dasmës së djalit të këngëtares popullore në Kosovë, Shyhretes. Dasma e të birit të saj dhe nusja arritën të merrnin të gjithë vëmendjen mediatike jo vetëm gjatë periudhës së dasmës, por edhe tashmë që zhurma e dasmës ka mbaruar. Çfarë Laerta vesh, çfarë makine nget, çfarë konsumon për të ngrënë dhe gjithçka tjetër bëhet menjëherë lajm.
Nita Istrefi (motra e Nora dhe Era Istrefit)

Duke qenë se Nora dhe Era janë shumë të famshme, fama e motrës tjetër të tyre, Nitës, duket si diçka instiktive. Sigurisht që lajme në lidhje me të dhe motrat e saj mund të bëhen sepse përderisa ajo është motra e dy prej vajzave më të komentuara, nuk mund të shpëtojë pa u shfaqur, por lajmet që bëhen vetëm për të duket se janë pak të çuditshme duke qenë se Nita nuk ka bërë asgjë për të kontribuar në showbiz-in shqiptar dhe e ka fituar këtë status vetëm duke blerë një çantë të re apo duke bërë një palë pushime që janë bërë menjëherë lajm.
Armina Menvlani dhe Shkelzen Berisha
Armina Mevlani, e dashura e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit, është gjithmonë në qëndër të vëmendjes. Shpesh ky fakt është komentuar si “sponsorizim” që Shkëlzen Berisha, mjaft i përfolur për pasurinë e tij, i bën asaj.
Një nga aspektet e jetës së saj, që ngjall shumë komente në rrjetet sociale është luksi që e shoqëron ngado, jo vetëm në veshje, por edhe në mënyrën e jetesës.
Martin Mane: Martini është djali i Samir Manes, një nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri. Familja e tij menaxhon dhe posedon një numër të madh biznesesh dhe aksionesh. Kjo justifikon edhe jetën e bukur që djaloshi 20 vjeçar bën.
Vis Bajraktari
I njohur ndryshe si i dashuri prej shumë vitesh i Lori Hoxhës, Visi mbahet si një ndër djemtë më simpatikë të brezit të tij dhe që ndër të tjera bën edhe një jetë mjaft të mirë.














