Një automjet tip “Passat” me targa AA 946 EF është hedhur në erë me eksploziv pranë zonës së Liqenit të Thatë në Tiranë.
Report Tv ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes ku duket automjeti krejtësisht i shkatërruar. Gazetari Driçim Çaka raportoi nga vendi i ngjarjes se nuk ka persona të lënduar nga shpërthimi pasi automjeti në momentin që është hedhur në erë ka qenë në parkim pranë një zone grumbullimi skrapi. Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe ka tronditur të gjithë zonën përreth.
Policia ka identifikuar dhe pronarin e automjetit, Ndok Rajta, administrator i një firme e inertesh. Ai ka dhënë dëshminë përpara uniformave blu ku mësohet të jetë shprehur se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa ka theksuar se automjeti ka qenë i parkuar pikërisht pranë biznesit të tij të inerteve.
Biznesmeni ka deklaruar gjithashtu se automjeti “Passat” përdorej edhe nga punonjësit e firmës. Mendohet se automjetit i është vendosur tritol në orët e para të mëngjesit dhe shpërthimi është bërë i telekomanduar. Sasia e lëndës shpërthyese dyshohet të ketë qenë më shumë se 300 gr C4 e vendosur në pjesën e përparme të automjetit. Forca të shumta policie ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetimet paraprake.



