Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbledhur ditën e sotme që në orën 17:00 Këshillin Kombëtar të kësaj Partie. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka propozuar që PDIU të dalë nga koalicioni me PS-në për t’ju bashkuar Partisë Demokratike.
Idrizi do të bashkohet i vetëm me PD-në, ndërkohë që 3 deputetë të kësaj partie do të vijojnë bashkëpunimin me Partinë Socialiste. Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici, nuk kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, duke sinjalizuar qëndrimin nën “ombrellën” e qeverisë. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, me votë unanime Shpëtim Idrizi u mandatua të negociojë me PD-në dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha marrëveshjen koalicionit, e cila i paraprin zgjedhjeve vendore të qershorit 2019.
PDIU rikthehet pas 4 vitesh te e djathta, pasi u largua në vitin 2014. Një vit më parë, 2013, PD kishte kaluar në opozitë, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa PDIU, në këto zgjedhje siguroi pesë mandate. Vetë Idrizi u zgjodh deputet përmes listave të PD. Por edhe koalicioni me PS nuk funksionoi. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PDIU arriti të marrë vetëm 3 mandate, dy në Elbasan Aqif Rakipi dhe Bujar Muça (të dy të larguar më pas i pari për efekt të dekriminalizimit dhe i dyti dorëzoi mandatin, duke u zëvendësuar përkatësisht nga Elena Xhina dhe Dritan Bici) dhe një në Dibër (Reme Lala). Madje kjo e fundit shprehu menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare se vota e saj në Kuvend do ishte për PS-në. Tre deputetët e kësaj force politike kanë votuar rregullisht projektligjet e maxhorancës pavarësisht nga ftohja e PDIU me PS.
Negociatat e Tiranës me Greqinë për çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve larguan edhe më shumë PDIU-në nga PS-ja. Shpëtim Idrizi akuzon qeverinë se tradhtoi çështjen Çame. Përpara anëtarëve dhe drejtuesve të PDIU, Idrizi tha se gaboi që i besoi Ramës dhe qeverisë së majtë zgjidhjen e çështjes Çame. Idrizi hodhi akuza edhe në drejtim të Greqisë duke i kujtuar se është i vetmi vend që nuk njeh minoritetet, ndërsa nga ana tjetër garantoi se nuk do ndalen përpjekjet për realizimin e amanetit të të parëve.


