Një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit Alket Muhaj në Memaliaj, policia ka shoqëruar 5 persona. Muhaj u gjet i vrarë me një plumb pas koke me kallashnikov ditën e djeshme në fshatin Rabie.
Ka dyshime se viktima ishte punëtor në parcelat me hashash. Në kuadër të këtyre dyshimeve mendohet se Muhaj i tregoi policisë për parcelat, dhe ky fakt mund të jetë bërë shkak për vrasjen e tij.
Burime për “BalkanWeb” thotë se ngjarja e rëndë ka lidhje me një parcelë hashashi të zbuluar në 4 shtator në Gllavë, pranë fshatit Rabie.
‘BalkanWeb’ mëson se viktima ishte i martuar dhe kishte fëmijë. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë sinjalizuar policinë për ngjarjen në fjalë. Fill pas njoftimin kjo e fundit mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe autorëve.
“Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A.M, 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj. Menjëhere pas marjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhej në njoftimin e policisë.


