Pas vrasjes së adoleshentit, Adriel Sala në Fushë-Mamurras, një tjetër vrasje ka ndodhur në orën 04:30 të mëngjesit në këtë qytet. Vrasja ka ndodhur në lagjen Zef Hoti, ku është vrarë 27-vjeçari, Indrit Pepa. Pepa ka patur ditën e djeshme një konflikt me disa persona. Policia njofton se është identifikuar autori i vrasjes, por ende nuk është kapur. Policia njofton se i riu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Traumës.
Njoftimi i plotë:
Kurbin
Informacion paraprak
Sot, rreth orës 04:30, është marrë njoftim se në Mamurras, afër xhamisë së qytetit, është plagosur me armë zjarri shtetasi I.P. 27 vjeç, banues në Mamurras, i cili është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit A.M. 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kjo është vrasja e dytë në më pak se 24 orë, pasi mbrëmjen e djeshme në Fushë-Mamurras, humbi jetën një 14-vjeçar, i identifikuar si Adriel Sala. Pak ditë më parë, një tjetër vrasje ndodhi në Shkodër ku vra biznesmeni Arjan Ferracaku.
Ferracaku u vra me breshëri plumbash, ndërkohë që ende nuk është zbardhur ngjarja. Në dy muaj në Shkodër janë vrarë 6 persona dhe 2 të tjerë janë zhdukur. RENEA, FNSH dhe policia kanë zhvilluar disa aksione në të gjithë vendin për kapjen e autorëve, ku janë sekuestruar në Shkodër, disa makina të fisit Bajri dhe Lici.


