Arben Ristani, i cili mbeti jashtë Kuvendit, thotë se në janar do të kemi kapjen e “peshqve të mëdhenj”.
“Sigurisht që ambasadori Lu, por jo vetëm ai, ka dhe kanë shumë të drejtë kur përmendin ekzistencën e grupeve dhe familjeve, tashmë të njohura kriminale në Shqipëri. Partnerët tanë ndërkombëtarë, pikërisht se janë bindur për ekzistencën e tyre dhe pasojat shumë të rënda që po sjell krimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën po mbështesin fuqishëm drejtësinë dhe projektet antikrim të drejtësisë.
Duke përdorur simbolikën e peshkut, do thosha se partnerët ndërkombëtarë dhe drejtësia e dinë mirë se “rrjeta” për të kapur “peshqit e mëdhenj” është e shpartalluar dhe do kohë dhe punë të riparohet e forcohet, që të mund t’i mbajë brenda “peshqit e mëdhenj”. Ambasadori, mesa duket ka llogaritur që ata që po merren me përgatitjen e “rrjetës”, e mbarojnë punën diku nga fundi i këtij viti dhe në fillim të vitit tjetër “peshqit” që ndotin ujërat e Shqipërisë do mund të kapen”, thotë Ristani në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”.
I pyetur për bashkëpunimin me LSI-në, Ristani thotë:
“LSI sot është një parti opozitare dhe për sa kohë ajo orientohet dhe punon për të rrëzuar z.Rama dhe pushtetin e tij të lidhur me krimin, bashkëpunimi apo bashkërendimi i forcave dhe mundësive opozitare është nevojë dhe detyrë e PD-së, si forca më e madhe dhe udhëheqëse e opozitës shqiptare”.(TemA)


