Zbulohen detaje nga ngjarja e mbremshme, kur një efektiv i Policisë së Tiranës u plagos pranë pallatit ku banon në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.
Polici i Komisariatit nr.1, Ermal Bregu, 30 vjeç, është qëlluar me dy plumba, në bark dhe në kofshë, dhe sipas burimeve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, para një lokali, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Mësohet se efektivi nuk ka qenë në detyrë në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Nga të dhënat paraprake dyshohet se plagosja ka ndodhur pas një debati që ai ka pasur me dy persona, që mësohet se janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre.
Vetë i plagosuri nuk ka dhënë shumë detaje rreth ngjarjes, duke thënë se nuk i njihte autorët dhe nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm.
Zyrtarisht, Policia tha dje se dyshohet për ndonjë konflikt të momentit por, nga ana tjetër, po hetohet edhe për ndonjë sherr të mëparshëm që polici 30- vjeçar mund të ketë pasur me personat që e qëlluan me armë zjarri. Kjo edhe për shkak të incidenteve të më- parshme që ai ka pasur gjatë 3 viteve të fundit.
EFEKTIVI I PLAGOSUR
Ermal Bregu, 30-vjeçari që u plagos mbrëmë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, prej disa vitesh është agjent krimesh në Komisariatin nr.1. Edhe babai i tij është punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë polic objektesh në Tiranë.
Burime nga Policia thanë dje se efektivi i plagosur është përfshirë edhe në dy incidente të mëparshme gjatë 3 viteve të fundit.
Mësohet se rreth 3 vite më parë, persona që ende nuk janë identifikuar, i kanë djegur automjetin e tij tip “Hummer”. Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, aty ku ai banon, ku edhe ndodhi ngjarja mbrëmë. Ndërsa vitin e kaluar ai pati një tjetër incident, pasi u plagos aksidentalisht me armën e shërbimit, teksa ishte duke e pastruar.
Nuk dihet ende nëse plagosja e djeshme ka lidhje apo jo me djegien e makinës së tij, megjithatë po verifikohet si pistë. Zyrtarisht Policia thotë se bëhet fjalë për një sherr të momentit, ndërsa vetë polici i plagosur thotë se nuk i njeh autorët.
NGJARJA
Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se rreth orës 19:30, në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Kongresi i Lushnjës” ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas këtij sinjalizimi në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr.2, si dhe ato të “Shqiponjave” e një ambulancë.
“Në rrugën ‘Kongresi i Lushnjës’, tek ish-Parku i Autobusëve, përballë një lokali, shtetasi Ermal Bregu, 30 vjeç, punonjës Policie i Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, por jashtë orarit të shërbimit, ka debatuar me dy shtetas, banorë të lagjes. Në konflikt e sipër, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi Ermal Bregu”, tha dje zyrtarisht Policia.
Efektivi i plagosur është dërguar në Spitalin e Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Policia ka ngritur pika kontrolli, duke rrethuar të gjithë zonën e ish-Parkut e deri në Unazë, për të kapur autorët.


