Partia Demokratike, asnjëherë nuk e ka pranuar në praktikë që ta festojë për çerek shekulli me radhë, 29 nëntorin si ditën e çlirimit të Shqipërisë. Megjithëse zyrtarisht festat janë 28 për Pavarësinë dhe 29 për Çlirimin, edhe kur ka qenë në pushtet, PD nuk e ka festuar datën 29 nëntor, pasi e konsideron një festë të ish komunistëve dhe veten e përcakton si parti e qendrës së djathtë. Megjithatë ajo nuk ka “guxuar” që ta ndryshojë ditën zyrtare të çlirmit, edhe për të mos hapur debate e polemika të panevojshme, të cilat edhe kështu, nuk kanë ndaluar asnjëherë gjatë këtyre viteve.
Por sot ka ndodhur një çudi e vërtetë. Partia Demokratike nuk e ka festuar Ditën e Pavarësisë, por vetëm Ditën e Çlirimit. Kryetari i saj Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të kësaj partie, gjatë paradites kanë qenë në Varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” ku kanë vendosur kurora me lule dhe janë përulur përpara Monumentit “Nënë Shqipëri”. Një ritual dhe një vend ky, ku përkujtohen të rënët për lirinë dhe çlirimin e atdheut. PD nuk ka marë pjesë në asnjë aktivitet në përkujtim të 28 nëntorit të 105 viteve më parë, për nder të aktitit të ngritjes së flamurit në Vlorë dhe firmosjes së deklaratës së pavarësisë nga etërit themelues të shtetit të ri.
PD dhe përfaqësuesit e saj kanë munguar në ceremonitë e organizuara nga Bashkia e Tiranës dhe bashkitë e tjera të vendit. E si të mos mjaftonte kjo, PD ka bojkotuar edhe ceremoninë kryesore shtetërore e qeveritare në Vlorë, me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë e Kosovës, Kryeministrit Rama dhe kabinetit të tij dhe ministrave të qeverisë së dy vendeve. Kryeministri Ramush Haradinaj për shkak të një impenjimi zyrtar të rëndësishëm, ka udhëtuar përpara kësaj, drejt Prishtinës.
Ndryshe nga PD, drejtuesit e LSI kanë marrë pjesë dhe i janë bashkuar festimeve. Mjafton të kujtojmë se Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka qenë përkrah Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini në ceremoninë e organizuar në qendër të këtij qyteti me rastin e Ditës së Flamurit. Një provë tjetër se qëndrimi i PD është jo vetëm kundër protokollit shtetëror dhe seriozitetit dhe rëndësisë së një dite si kjo, por edhe kundër traditës së vet të derisotme.
Si një politikan race, Sali Berisha, ish kryetari i kësaj partie duke e kuptuar “gafën” e madhe të Bashës, ose për kompensim dhe për të qenë “politikisht korrekt” me sulmet dhe kritikat, ka bërë tri statuse në facebook, në respekt dhe në nderim të 28 nëntorit, ditës së Falmurit. Por edhe sikur 13 apo 33 statuse të bëjë ai, asgjë nuk mund ta shlyej një mungesë të tillë të forcës së dytë politike në vend, në ceremonitë e festimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Përgatiti: Alpenews.al



