28 nëntori, datë që përkon me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, bëri bashkë liderët e shtetit në Vlorë, qyteti simbol i kësaj feste. E për të nderuar këtë ditë që bashkon çdo zemër shqiptari me flamurin kuq e zi, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur si foto të ditës pikërisht një nga ato të shkrepura gjatë festimeve në Vlorë.
Në pamjet në fjalë shihet kreu i shtetit, kryeministri Rama, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Gramoz Ruçi si dhe kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli teksa ecin në tapetin e kuq në sheshin e Flamurit në qytetin bregdetar, atje dhe ku u ngrit flamuri për herë të parë nga Ismail Qemali në 28 nëntor të 1912-ës.



