Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Xhensila Pine, Roland Ilia dhe Genta Tafa (Bungo) ka pranuar dorëheqjen nga drejtësia të gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Merita Xhani, për t’i shpëtuar procesit të Vetingut. Gjyqtarja ka shfrytëzuar të drejtën që i jep Kushtetuta për të dhënë dorëheqjen nga sistemi. Shqiptarja.com verifikoi deklaratat e pasurisë së gjyqtares, ku ra në sy një numër i lartë makinash të shitura nga subjekti në vitin 2015.
Gjyqtarja deklaron se gjatë vitit 2015 ka shitur 13 makina. Konkretisht, zonja thotë se gjatë këtij viti ka shitur makinë tip Opel Corsa për 200 euro si dhe një furgon tip Mercedez vetëm 800 euro. Merita Xhani deklaron gjithashtu shitje makine tip Mazda për 1 100 euro, shitje makine tip Opel Corsa për 250 euro, makinë tip Mazda për 1 200 euro, makinë tip Fiesta për 1 200 euro, furgon për 1 500 euro, makine tip Ford për 1 000 euro, makinë tip Mazda për 1 200 euro, makinë tip Mercedez për 500 euro etj. Gjyqtarja e dorëhequr deklaron gjithashtu pranë ILDKP se gjatë vitit 2015, ka shitur 5227 m2 tokë arë, për 150 mijë euro.
Zonja në fjalë deklaron një depozitë në bankë 122 mijë euro si dhe 1 278 882 lekë të ardhura nga paga si gjyqtare. Mbetet për t’u parë nëse Komisioneri Publik do t’i kërkojë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK, për të mundësuar që gjyqtarja t’i nënshtrohet procesit të Vetingut. Deri më tani, Kolegji i Apelimit ka konfirmuar vendimet e KPK për pranimin e dorëheqjen të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi në fund të fundit, qëllimi fundor i Vetingut është të largojë nga sistemi i drejtësisë të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk justifikojnë pasurinë, kanë kontakte me krimin apo që janë të paaftë profesionalisht.
Dorëheqja
Me shkresën protokolluar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me nr. 523 prot., datë 08.02.2018, me lëndë “Kërkesë”, Znj. Xhani ka paraqitur dorëheqjen nga funksioni i gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vijim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi mori në shqyrtim këtë kërkesë, vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes së gjyqtares Merita Xhani, mbështetur në nenet 63, 64 dhe 160, pika 1, germa “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ndërkaq, me kërkesë nr. 1136/1, datë 24.05.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vendimi nr. 29, datë 07.05.2018, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u vu në dispozicion më datë 01.06.2018.
Vendimi i KPK për dorëheqjen e gjyqtares
1. Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, Znj. Merita Xhani, është ndërprerë.
2. Të deklarojë humbjen e së drejtës të subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të
Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
3. Ky vendim u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit.
4. Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.


