Shqipëria ka pranuar që të marrë 20 refugjatë nga 150 që ndodhen në anijen e bllokuar në Catania.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati me anë të një postimi në Tëitter shprehet se dje Italia na shpëtoi, ndërsa sot jemi gati të japim një dorë, por shton ai ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën.
Ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën, por jemi gjithnjë këtu, nga ana tjetër e një deti, ku dikur ishim ne ata eritreanët, që vuajnë prej ditësh e netësh në mes të detit, në pritje që të zgjohet Evropa! Dje Italia na shpëtoi. Sot jemi gati të japim një dorë.
Ditmir Bushati
Anija me 150 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut prej disa ditësh është e bllokuar në portin e Catania-s. Të premten, 150 emigrantët në bordin e anijes “Diciotti” nisën grevën e urisë në shenjë proteste ndaj vendimit të Salvinit për të mos lejuar zbarkimin e tyre. Nga mediat italiane bëhet me dije se nga bordi kanë zbritur 17 persona që kishin nevojë për kujdes mjekësor, dy prej të cilëve dyshohet se vuajnë nga sëmundja e tuberkulozit.
VIDEO/Anija e ankoruar në Catania
Zv.kryeministri italian kërcënoi se do të pezullonte kontributin financiar të vendit të tij drejt BE-së, nëse Brukseli nuk do të ndërhynte dhe të shpërndante 150 personat në bordin e anijes së Rojeve Bregdetare, “Ubaldo Diciotti”.



