Pasi është arrestuar teksa po kthehej nga pushimet në Korfuz, i shumëkërkuari shqiptar Edmond Bego do të përballet ditën e nesërme përballë Gjykatës.
Burime nga policia greke bëjnë me dije se Edmond Bego ndodhet ende i arrestuar në Igumenicë. Ditën e nesërme do të paraqitet para prokurorit, i cili do të vendosë për mbajtjen ose jo në qeli.
48-vjeçari është arrestuar nga policia e Igumenicës, në bashkëpunim me sektorin e kontrollit të pasaportave të Sajadhës. Bego kishte ndryshuar emrin në dokumentet e tij nga Edmond në Mondi Bega dhe me këtë identitet kishte kaluar nga Shqipëria drejt Korfuzit, bëjnë me dije burime për Shqiptarja.com.
Por kush është Mond Bego dhe pse konsiderohet si një i shumëkërkuar nga Policia?
Ish-drejtori i klubit të Futbollit të Lushnjes njihet si mik i Aldo Bares ndërkohë që është dënuar nga drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike të kryer më shumë se një herë. Bego ka qenë për një periudhë kohore edhe president i klubit lushnjar. Policia shqiptare e ka arrestuar disa herë Begon për trafik dhe shitje droge.


