Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vlorë, Shezai Rrokaj ka reaguar për krimin e rëndë me 8 të vdekur sot në Selenicë, duke hedhur akzua të rënda mbi qeverinë.
Sipas Rrokaj, krimi ka ndodhur si pasojë e një sërë faktorëve ekonomik-social, nga problemet e pazgjidhura të pronës deri te fenomeni i drogës, skamja dhe emigracioni.
“Në këtë zonë dhe në gjithë Bashkinë e Selenicë, për fat të keq dora e Shtetit është inekzistente”, shkruan ndër të tjera Rrokaj.
Postimi i plotë në rrjetet sociale:
Nje tragjedi e rëndë ndodhi sot në Resulaj të Bashkisë Selenicë. Krimi makabër brenda fisit u mori jetën 8 personave, midis të cilëve gra dhe fëmijë. Po kështu disa të tjerë janë të lënduar. Në radhë të parë u shpreh ngushëllimet e mia famijarëve për viktimat e pafajshme dhe uroj shërim të shpejtë të lënduarëve. Inkurajojmë policinë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë për kapjen e autorit. Ky krim në familje duket të jetë pasojë e problemeve të pazgjidhura të pronës në një nga zonat më të varfëra, të prekura nga fenomeni i drogës, nga skamja dhe emigracioni. Në këtë zonë dhe në gjithë Bashkinë e Selenicë, për fat të keq dora e Shtetit është inekzistente, sidoqë është një nga zonat më të pasura me bitum dhe naftë si dhe me bukuritë e Lumit të Vlorës.


